Opinion-Futbolli është një nga sportet më popullore në të gjithë botën. Ndërkohë në Shqipëri zyrtarisht pranohet që iniciativat e para të futbollit startojnë në shekullin e kaluar.

Në fillim të viteve 1900, në Kolegjin Saverjan në Shkodër ndeshesh me gjurmët e futbollit. Një misionar anglez kishte sjellë në kolegj një top dhe rregullat e lojës, e cila nisi të ushtrohej fillimisht nga nxënësit e kolegjit dhe më pas nga shumë të rinj.

Nuk kaloi shumë kohë dhe kjo lojë nisi të dashurohej nga i gjithë qyteti. Si kudo në kontinent, edhe në Shqipëri magjia e kësaj mrekullie me emrin futboll nisi të përhapej si një epidemi.

Një vit pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1913, në Shkodër zhvillohet një ndeshje ndërkombëtare. “Indipendenca”, skuadra e krijuar nga lojtarët më të mirë të qytetit, u ndesh me një skuadër të ushtrisë austro-hungareze. Falë të pasionuarit Palok Nika, në këtë qytet futbolli nisi të bëhej gjithnjë e më popullor.

Në Shkurt të vitit 1919 krijohet shoqëria “Vllaznia”, me kryetar Hil Mosin. Kjo ishte një ngjarje e madhe për historinë e futbollit shqiptar. Më pas u organizuan shoqëri sportive në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Korçë, Durrës, Kavajë e me radhë. Kështu nisi ekspansionin futbolli, duke u bërë loja më e dashur për shqiptarët. Një rol të veçantë në zhvillimin e kësaj loje do të luanin edhe intelektualët Palok Nika, Hil Mosi, Avni Zajmi, Anton Mazreku, apo Selman Stermasi.

Viti 1930 përkon edhe me një datë tjetër të shënuar për futbollin shqiptar. Pas përpjekjesh të shumta ka startuar kampionati i parë kombëtar. Filluan të hartoheshin rregulloret e para të lojës dhe futbolli nisi të marrë një pamje të plotësuar. Një rol të madh, sidomos në institucionalizimin e tij, patën edhe specialistët e huaj të fushave të ndryshme, të cilët punonin në vendin tonë.

Në këtë kampionat morën pjesë vetëm 6 skuadra dhe kampione u shpall Tirana, që mes polemikash me Skënderbeun, fitoi titullin e parë.

Një tjetër ngjarje për futbollin shqiptar ishte edhe anëtarësimi në organizmin e rëndësishëm të futbollit botëror FIFA. Në Maj të vitit 1932, Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare e FIFA-s dhe u zhvillua zyrtarisht kampionati kombëtar i futbollit. Deri në vitin 1938 janë luajtur 7 kampionate futbolli. Në kampionatet e mbajtura para Luftës së Dytë Botërore, Tirana fitoi 6 tituj dhe Skënderbeu 1.

Në vitin 1954, Shqipëria aderon në organizmin më të rëndësishëm të futbollit evropian, UEFA. Vitet 70-80 dominohen nga një vendim i Federatës Shqiptare të Futbollit, i diktuar padyshim nga politika, për të mos marrë pjesë në konkurset ndërkombëtare.

Në vitet ’80 skuadrat shqiptare kishin një përfaqësim më të madh në aktivitetet evropiane. Në aktivitete të ndryshme morën pjesë edhe ekipet e moshave. Në 1978 dhe 1981, Shqipëria 21-vjeçare shpallet kampione e Ballkanit dhe kualifikohet ndër 8 më të mirat e Evropës, pasi kishte eliminuar skuadra të mëdha si ajo e Gjermanisë. /tvklan.al