Në studion e “Historia e Fundjavës” këtë të diel ishte aktori i humorit Florjan Binaj, i cili prej 2014-s është pjesë e Fundjavë Ndryshe.

“E kam pasur këtë dëshirën për të ndihmuar të gjithë që i vogël, sepse jeta ka qenë e tillë që unë që i vogël kam filluar të punoj. E dyta ka qenë kur shkuam tek familja e Etlevës, më bëri të zbrisja edhe më shumë në tokë, për gjendjen që ishte ajo familje dhe kështu nisi gjithçka“, tha Binaj, teksa tregoi si ishte bërë pjesë e Fundjavë Ndryshe.

Etleva u identifikua në konferencën e 2 vjetorit të Fundjavë Ndryshe, ku me fjalimin e saj prekës përloti zemrat e audiencës. Përtej varfërisë dhe kushteve të rënda ekonomike, ajo ishte një nxënëse e shkëlqyer dhe shumë e përkushtuar. Fundjavë Ndryshe vendosi t’i dhurojë Etlevës dhe familjes së saj një shtëpi të re.

“Unë e kuptoj shumë që babai im është i sëmurë, sepse prej vitesh është i paralizuar. E kuptoj edhe përse mami im nuk buzëqesh kurrë, pak nga sëmundja e saj, pak nga skamja dhe pamundësia për të mos qenë e aftë të punojë. Do të doja shumë që të jetoja në një banesë të ngrohtë, të kisha një krevat prej vërteti, divane dhe televizorë, ashtu siç i kam parë… dhe libra. Sepse shtëpia ku jetojmë është e ftohtë, pa drita, e vetmja dritë që ka ngrohur zemrën e familjes time prej 2 vitesh, është Fundjavë Ndryshe”.