Në Klan Plus ka nisur emisioni më i ri, Historia e Fundjavës që do të transmetohet çdo të dielë në orën 19:30.

Nën drejtimin e moderatores së mirënjohur Mirela Milori, edhe me ndihmën e Arbër Hajdarit nga fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, emisioni “Historia e Fundjavës” ka një mision të veçantë, për të qenë sa më pranë njerëzve në nevojë.

Arbër Hajdari tregon si dhe përse lindi ideja e bashkëpunimit të emisionit “Historia ime” me fondacionin “Fundjavë Ndryshe”.

Arbër Hajdari: Ne e krijuam këtë emision së bashku me emisionin tuaj Historia e Fundjavës për të trajtuar atë misionin e Fundjavës Ndryshe në një emision televiziv që gjithë njerëzit të shohin mesazhet që përçon Fundjava dhe gjithë njerëzit që janë pas saj. Dhe gjëja më e rëndësishme që ne mendojmë, që jemi duke bërë, është shpresa. Po i japim njerëzve shpresë që nuk jeni vetëm, që gjithmonë do të jetë dikush aty për të të mbështetur, për të thënë një fjalë të mirë, po ndoshta dhe një përqafim.

“Fundjavë Ndryshe” ka ndihmuar me qindra familje në mënyra të ndryshme. Arbër Hajdari ka ndarë me publikun si i lindi ideja për të krijuar këtë fondacion.

Mirela Milori: Në fakt, ndihma juaj ka qenë shumë më shumë se sa një përqafim, shumë më shumë se sa të qëndroni aty, sepse vërtetë që keni ndikuar dhe keni ndihmuar për të ndryshuar jetë njerëzish. Si lindi Fundjava Ndryshe?

Arbër Hajdari: Unë kam qenë 19 vjeç kur në një ditë feste të caktuar në Shqipëri, vendosa që ta kaloj ndryshe, jo pranë familjes, në një zonë shumë të varfër të Tiranës dhe mora disa ushqime në një qendër dhe shkova në zonën më të varfër të Tiranës. Ishte bërë rutinë që në çdo ditë të kësaj feste kalohej në shtëpi me familjen. Dhe unë mendova që nuk është ky synimi i kësaj feste. Synimi i kësaj feste është për të bashkuar njerëz dhe për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Dhe doja ta kaloja ndryshe, ta prishja këtë rutinë. Dhe shkova tek shkolla “Bajram Curi”, në një zonë shumë të varfër të Tiranës dhe mblodhëm disa fëmijë.

Që të përmbushte këtë mision, Arbri shkoi në një restorant dhe kërkoi disa vakte me ushqim. Kur pronari i restorantit e pyeti përse kishte porositur sasi të madhe ushqimi, Arbër Hajdari i tha që i donte për fëmijë në nevojë. Në këtë moment, pronari i restorantit vendosi t’ja jepte falas. Pasi mori ushqimet, shkoi tek bregu i lumit dhe përpara i doli një vogëlushe 7 vjeçe, të cilët i tha të mblidhte të gjithë shokët dhe shoqet.

“Aty nuk kishte fare aromë feste, në një varfëri të skajshme. U mblodhëm, shtruam në tokë sepse nuk kishim as tavolina. Dhe kemi kaluar 6 orë deri sa filloi të binte shi. 6 orë të mrekullueshme, ku truri im edhe pse ndihej mirë që po kalonte drekën me të këta fëmijë, por nga krahu tjetër do mbaronte aty, edhe pas asaj nuk kisha gjë në dorë, nuk kisha në dorë që t’i ndihmoja më tepër. Pas kësaj dite vendosa që ta ndaja këtë drekë me miqtë e mi në një faqe private në Facebook. Shumë miq të mi filluan të reagonin dhe thonin sa mirë, ky është kuptimi i kësaj feste. Ajo kënaqësi që mora atë ditë, më bëri të mendoj që pse të mos e nis këtë gjë çdo fundjavë. Për ta kaluar më ndryshe. Dhe prandaj mori emrin Fundjavë Ndryshe. Për rreth 2 muaj me radhë, Fundjava ishte vetëm unë me shoqërinë time që më bashkoheshin çdo fundjavë, që merrnim gjëra nëpër shtëpi që na kishin mbetur dhe i shpërndanim. Pas 2 muajve, unë mendova pse të mos kalojmë këtë në një nivel tjetër. Dhe vendosa të hap një faqe Facebooku, ku çdo fundjavë ne do të ftonim njerëz dhe do të publikonim aktivitetet sociale që në bënim. Pati jashtëzakonisht shumë sukses. Patëm një pjesëmarrje shumë të madhe, qoftë edhe të njerëzve por edhe publike”.   /tvklan.al