Një ngjarje e rëndësishme e vitit 1965 është inaugurimi i Pallatit të Kulturës në Tiranë. “Histori me Zhurmues” do të ndalet në këtë ngjarje, për të cilën rrëfeu hollësi të panjohura një nga pjesëmarrësit e grupit të punës për ndërtimin e tij, inxhinier Luan Voshtina.

Nëpërmjet bisedës me të u njohëm me vështirësitë që u ndeshën për ndërtimin e kësaj vepre, gurin e parë të së cilës e vendosi Hrushovi, por e përfunduan punëtorët dhe inxhinierët shqiptarë pas largimit të specialistëve sovjetikë kur u ndërprenë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Një tjetër personazh i emisionit ishte Vilson Gjoça, një nga pjesëtarët e parë të estradës së ushtarit në kryeqytet. Një shaka e rrezikshme me bustin e diktatorit në vitin 1965 i kushtoi shtrenjtë në karrierën e tij artistike, një karrierë e kaluar në hije, edhe pse ishte njeriu që organizoi përshëndetjet e pionierevë në disa kongrese të partisë dhe drejtonte grupet amatore të estradës në kryeqytet.

Viti 1965 na kujton edhe historinë e një personazhi të kronikës së atyre viteve, Makbule Fisniku. Asokohë vajzë e re, zgjodhi profesionin e mjelëses për të ndihmuar më tepër ekonomikisht familjen, por njohja me shokun e saj të jetës e bëri të kapërcejë pengesat e kohës, të vazhdojë kursin e kuzhinës dhe të shkojë për të punuar në një zonë të thellë të Lurës, atje ku shpesh kalonin fundjavat udhëheqësit e lartë të partisë./tvklan.al