E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë Liljana Danushi, 44 vjeç, nga qyteti i Rrogozhinës. Ajo vuan nga sëmundja e diabetit në shkallë të lartë.

Kur ishte 31 vjeçe, vëllai i madh e martoi me mblesëri me dikë nga një fshat i Librazhdit, pa dijeninë dhe pëlqimin e Liljanës. Bashkëshorti i saj kishte qenë i martuar edhe më parë me dikë tjetër, e cila e braktisi. Këtë ndarje ish-bashkëshorti e kishte përjetuar shumë keq, aq sa kishte arritur të pinte helm.

Sipas Liljanës, ai ishte një njeri shumë i urtë, por që nuk dinte t’u jepte drejtim situatave. Në fillim marrëdhënia e tyre shkonte normalisht.  Liljana jetonte me bashkëshortin dhe familjen e tij, nënën, kunetërit dhe kunatën.

Por njerëzit e tij i bënin vazhdimisht presione psikologjike. I kërkonin që të vidhte nënën dhe vëllain e saj dhe lekët e tyre t’ua sillte kunatës dhe kunetërve. Shpesh e dënonin me ushqim të ndenjur, të regjur.

Sipas Liljanës, prej këtyre situatave dhe stresit që ka kaluar filluan t’i shfaqeshin simptomat e para të diabetit dhe të problemeve me zemrën. Liljana jetoi për një vit e gjysmë me ta dhe pse situata ishte problematike dhe më pas u divorcua.

Liljana u rikthye tek familja e saj në Rrogozhinë. Për të dhe për nënën e tyre të sëmurë, tetraplegjike e cila nuk lëviz dot nga shtrati, prej vitesh kujdeset vëllai i saj, Blerimi. Edhe Blerimi(49 vjeç) është i divorcuar prej vitesh. Të ardhurat e tyre janë vetëm pensioni kemp që merr nëna e tyre, 177 mijë lek të vjetra, dhe 100 mijë lekët për kujdestarinë e kujdesit ndaj saj si invalide. Liljana nuk merr Kemp edhe pse ka diabet të shkallës së lartë dhe sëmundje të tjera si hipertensioni, zemra, etj.

Ajo mendon që i takon Kempi, pasi me gjendjen që ka nuk punon dot. Kanë shkuar tek zyrat e Kempit në Kavajë, por iu kanë kërkuar ryshfet, madje një mjek së fundmi, i cili tani nuk jeton më pasi ka humbur betejën me Covid, i kishte kërkuar 2000€.

Dëshira e saj më e madhe është të ketë një fëmijë, të cilin është e gatshme ta birësojë, pavarësisht faktit nëse i lejohet apo jo prej kushteve që ka. Ajo shprehet se do bëjë të pamundurën që ta ketë një fëmijë dhe shpresën e ka vetëm tek emisionin “Historia ime”, por moderatorja Mirela Milori i tregoi asaj që emisioni nuk mund të bëjë asnjë gjë për birësimin e një fëmijë. Ajo duhet të shkojë tek institucione përkatëse për të aplikuar dhe bazuar në kushtet e saj të jetesës, shëndetit mendor dhe fizik, vendoset nëse asaj i takon të përfitojë të drejtën për birësimin e një fëmije.

Liljana tregon se me një nga vëllezërit e saj nuk i ka marrëdhëniet mirë, madje ajo e urren dhe e mallkon sepse sipas saj është i alkoolizuar dhe e ka dhunuar. Sipas Liljanës shkaku që ajo nuk bën dot fëmijë është sepse i vëllai e ka gjuajtur me shkelmë në bark. Ajo tregon se vëllai nuk jeton më me ta, punon si çoban në Kosovë dhe nuk kursen mallkimet për të. /tvklan.al