Rubrika “Shihemi në gjyq”, në Tv Klan vendosi përballë njëri-tjetrit djalin dhe nënën e tij. Shkak është bërë një histori dashurie, e cila ka shkaktuar mjaft probleme në jetën e tyre.

Enea kur ishte 25 vjeç u dashurua me një vajzë, e cila ishte vetëm 17 vjeç. Kur familja e mori vesh lidhjen e tyre, jo vetëm që e kundërshtoi, por edhe e akuzoi Enean për përndjekje. Pasi del nga paraburgimi, prokurori vendosi ta çojë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Enea për 27 muaj ka qëndruar në institucionim e vuajtjes së dënimit, pikërisht aty ku shkojnë individët, të cilët dalin nga mjekësia ligjore me aktin e ekspertimit si të sëmurë mendor.

Eni Çobani: Ti e kreve dënimin e parë dhe dole apo jo?

Enea: Po!

Eni Çobani: Ke dalë në Korrik të vitit 2017. Çfarë ndodhi më pas? U ritakove me vajzën?

Enea:  Jo zonja Eni, nuk e kam takuar kurrë dhe ata më akuzuan për përndjekje të vajzës. Vetëm njëherë e kam parë në policinë e Gramshit. Edhe më akuzuan për përndjekje të vajzës. Po ku e përndoqa unë? Mesa di unë ajo nuk ishte fare në Shqipëri, ishte në Itali në atë kohë. Kur vjen vajza në Gramsh më akuzuan për përndjekje prapë. Por nejse, pasi kalova 3 muaj paraburgim, prokurori vendos që të më çojë në IML.

Eni Çobani: Pse doli nevoja të shkoje në Institutin e Mjekësisë Ligjore?

Vera: Të ndërhyj pak unë zonja Eni!

Eni Çobani: Ndërkohë që ti ishe një njeri me precedentë penalë, ti ishe dënuar njëherë për përndjekje.

Enea: Këtu qëndron problemi im zonja Eni. Këtu e fajësoj mamanë time dhe e lë me faj mamanë time. Sepse unë nuk dija asgjë, mamaja kishte marrë një raport tek ky doktori.

Vera: Enea më fal pak. Ta sqaroj pak. Zonja Eni duke e parë djalin që u arrestua për herë të dytë, mendova si prind, çdo prind mund ta bënte këtë, ta shikoja njëherë nga ana psikologjike djalin, meqënëse ky nuk po shkëputej nga vajza dhe unë shkova tek doktori.

Eni Çobani: Pra ti e mendove vetë, se djali mund të kishte ndonjë fiksim ndaj vajzës?

Vera: Po ndonjë fiksim, ndonjë depresion të momentit, të çastit. Edhe vete i them doktorit kështu e kam hallin, se djalin po ma arrestojnë.

Enea: Ndërkohë zonja Eni, doktori vë disa ilaçe, disa qetësues në kartelë, unë nuk kam përdorur kurrë në jetën time!

Ardit Gjebrea: Ti i pive ato?

Vera: Jo asnjëherë!

Enea: Jo zoti Ardit, unë nuk e dija fare, tani kur kam dalë e kam marrë vesh tamam se çfarë ka shkruar në kartelë. Unë s’kam pirë kurrë në jetën time as ilaçe psikike, as mendore sepse jam kontrolluar nga 3 psikiatër shtetëror.

Ardit Gjebrea: Çfarë thanë?

Enea: Më thanë që është një krim shumë i madh që ke ardhur këtu, që të kanë sjellë këtu.

Vera: Zonja Eni edhe pse unë i thashë doktorit që ta shikonte nga ana psikologjike djalin dhe s’doja që djali të përfundonte në burg, se s’kishte bërë absolutisht asgjë. Nuk do të thotë që ai raport që lëshoi doktori..

Enea: Mama, ai raport më ka marrë në qafë mua, ky është problemi se unë bëra 27 muaj në Zahari, më është rrezikuar jeta 27 muaj. 

Vera: Këto janë shkelje që nuk i kam bërë unë.

Enea: A e di ti mama, se ku kam qenë unë apo jo?

Vera: E di shumë mirë Enea.

Enea: Unë sido që ta shpjegoj këtu, edhe ty mama që ta kam shpjeguar mbi 1000 herë, edhe zonjës Eni, edhe zotit Ardit po t’ja shpjegoj unë këtu, askush nuk mund ta besoj dhe nuk mund ta imagjinoj, po nuk e përjetove vetë.

Ardit Gjebrea: Çfarë Enea?

Eni Çobani: Kur ka jetuar në spitalin e Zaharisë.

Ardit Gjebrea: Çfarë është spitali i Zaharisë?

Eni Çobani: Është institucioni i vuajtjes së dënimit, që kryesisht shkojnë njerëz, të cilët dalin nga mjekësia ligjore me aktin e ekspertimit të sëmurë mendor.

Ardit Gjebrea: Dhe Enea ka qenë aty?

Eni Çobani: Enea ka qenë atje./tvklan.al