E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë një nënë e quajtur Lindita Gjergji, 56 vjeç që jeton në fshatin Radë të Maminasit. Është e martuar, me tre fëmijë, përkatësisht dy vajza dhe një djalë të tre të rritur. Vajza e madhe është martuar dhe jeton në Itali. Dy fëmijët e tjerë janë pikërisht problemi i saj më i madh. Djali është 36 vjeç dhe vajza 31 vjeç, janë të dy të sëmurë prej vitesh. Fëmijërinë e tyre e kanë pasur shumë të mirë, normale, pa probleme.

Kur vajza ishte rreth 15 vjeç kaloi në depresion duke u përkeqësuar vazhdimisht dhe me kalimin e kohës u diagnostikua me sëmundjen e skizofrenisë. Sjelljet e saj në shumicën e kohës kanë qenë agresive. Dëgjon zëra që nuk ekzistojnë në të vërtetë dhe i duket se të tjerët e shajnë ose e tallin. Ka 16 vite me këtë sëmundje.

Një vit pas sëmundjes së vajzës, u sëmur dhe djali i Linditës. Atëherë, djali ishte 21 vjeç përafërsisht. Edhe ai ka pak a shumë sëmundjen e të motrës, por në ndryshim nga ajo ai nuk është agresiv. Por kur e humb kontrollin, ai del në rrugë dhe ju flet njerëzve kot.

Trajtohen me ilaçe, të cilat i mbajnë nën kontroll, për blerjen e të cilave i ndihmon vajza nga Italia, pasi nuk ia dalin dot, edhe pse të dy marrin nga një Kemp prej 100 mijë lekësh të vjetra.

Lindita ka kaluar një jetë të vështirë. Me një bashkëshort shumë xheloz, i cili nuk e linte të punonte, me vështirësi Lindita ka mundur të punojë në bujqësinë e fshatit ku jeton. Ndërkohë, i shoqi nuk ka punuar asnjëherë. Së fundmi, Lindita është diagnostikuar me tumor, për të cilin ka kryer ndërhyrje dhe po vazhdon të ndjekë kimioterapinë, ku ka probleme të mëdha ekonomike.

Jo më larg se dje ka ndjekur terapinë e radhës në kimioterapi. Lindita ka ardhur në program për të rrëfyer historinë e jetës së saj dhe të kërkojë ndihmë për t’u siguruar terapi psikologjike për dy fëmijët e saj të sëmurë në mënyrë që ata të përmirësohen edhe më shumë.

Lindita: Vajza erdhi në Tiranë në gjimnazin Asim Vokshi të studiuar gjuhë të huaja, italisht.

Mirela Milori: Cilat ishin shenjat që filloi të jepte dhe ju kuptuat që diçka nuk po shkonte me të?

Lindita: Kur martova vajzën e parë, po atë vit para se ta çoja në shkollë filloi të jepte shenjat e para. Filloi të rrinte shtrirë në krevat, as nuk fliste, as nuk hante. E çoi në shkollë, i kaloi. E diskutova me burrin, ai më tha që i kalon vetë. Atë ditë që martoi të motrën, nuk erdhi në dasmë, ka ndenjur gjithë ditën shtrirë. Dëshira e saj ishte e madhe për të shkuar tek dasma e të motrës, por ishte komplet në botë tjetër.

Mirela Milori: Vjen këtu në shkollë, si ishte periudha e shkollës?

Lindita: E kapte vetëm 1 herë në muaj dhe pasi e kalonte dukeshe sikur vajza nuk kishte asnjë gjë. Kur na sollën fjalë, që u sëmur goca, i flisnin tek shkolla o Suzana çfarë ke? Ajo nuk i jepte përgjigje.

Mirela Milori: E mbaroi shkollën e mesme?

Lindita: Jo, bëri vetëm 3 muajt e vitit të parë, nuk komunikuam me asnjë doktor. Kështu vazhdoi goca 2-3 vite, filloi të bëhej agresive dhe i kalonte prapë vetë, sot është 30 vjeç. Ne e kemi shtruar tek Psikiatria në Tiranë.

Mirela Milori: Kur i bënë shenjat e saj më të vështira që ju e sollët dhe e vizituat?

Lindita: Pas 3 vitesh ajo u bë problematike dëgjonte zëra, duhej t’i bindej atij që e drejtonte.

Mirela Milori: Tani është dhe djali tjetër, si është historia e tij?

Lindita: Deri në moshën 23 vjeç ka qenë mirë çuni, ka qenë në Itali. I filluan shqetësimet që atje dhe nuk iku më në Itali.

Mirela Milori: Ka dhe ai një çrregullim të sjelljes?

Lindita: Po, ka dhe epilepsi çuni.

Mirela Milori: Sa vite ke qe jeton me të dy në këtë situatë shëndetësore?

Lindita: 15 vjet. Goca dhe djali më kanë ikur vetëm nga pakujdesia që nuk kemi pasur ne mundësi. Unë jam përpjekur shumë, kam bërë çmos për fëmijët, por nuk më është realizuar ajo që kam dashur. /tvklan.al