Gjatë inkursionit turk në Siri në tetor të vitit 2019, qindra mijëra sirianë u zhvendosën në kampe të ndryshme refugjatësh brenda vendit. Zëri i Amerikës sjell historinë e një punonjësi shëndetësor të zhvendosur, i cili aktualisht jeton dhe shërben në një kamp refugjatësh sirianë.

Dilovan Sido dikur ishte një punonjës i shëndetësisë në një spital në Siri. Por si mijëra të tjerë, ai u zhvendos pas inkursionit turk, në vjeshtën e vitit 2019. Ai gjeti strehë në Kampin e Refugjatëve “Shahba”, ku së bashku me kolegët e tij ngritën një klinikë të improvizuar.

“Në fillim, ne vendosëm dy çadra dhe trajtuam qindra, ndoshta mijëra njerëz nën çadra me mjekët dhe miqtë tanë që ishin larguar nga spitali “Afrin”. Ne përdorëm ilaçet që kishim marrë me vete. Disa ndihma nga zona të tjera gjithashtu arritën në rajonin “Shahba”. Më pas filluam të kërkojmë për një vend ku të mund të ndërtonim një spital të vogël”, tregon për Zërin e Amerikës Dilovan Sido.

Një lidhje të veçantë Dilovan Sido ka me një vegël muzikore.

“Tambura im ishte gjeja më e shtrenjtë që kisha gjatë luftës dhe gjatë migrimit derisa arritëm në rajonin Shahba. Edhe këtu, morali i miqve tanë kishte rënë. Kishte probleme të shëndetit mendor mes njerëzve. Përmes muzikës dhe këngëve, ne mund të krijojmë disa momente pozitive dhe pak shpresë në zemrat e tyre”, thotë Dilovan Sido, punonjës i kujdesit shëndetësor, i zhvendosur nga lufta.

Viti 2020 shkaktoi frikë tek refugjatët në kampin Shahba ndërsa përhapja e koronavirusit po bëhej një problem. Ndërsa Sido dhe kolegët e tij kanë ndihmuar mijëra pacientë në çadrat e tyre të improvizuara, ai thotë se trajtimi më i mirë për refugjatët është kthimi në shtëpitë e tyre.

“Unë do të doja t’u thoja të gjitha organizatave humanitare dhe Kombeve të Bashkuara se ilaçi më i rëndësishëm për të zhvendosurit tanë në kampin Shahba është kthimi i tyre në tokën e tyre”, thotë Dilovan Sido për Zërin e Amerikës.

Për të lehtësuar dhimbjen e të jetuarit në një kamp refugjatësh, krahas muzikës Sido merret dhe me kopshtari./VOA