Marrëdhënia e tyre gjyshe-nip nuk është aspak si ato që jemi mësuar të shohim vazhdimisht. Ajo është një gjyshe larg imazhit të gjysheve që mbyllen në shtëpi për t’u përkujdesur për nipërit dhe mbesat. Lavdie Sulo ka zgjedhur të kujdeset në një mënyrë tjetër për nipin e saj Markus Nezaj, duke e bërë pjesë të pasioneve dhe aktiviteteve të saj sportive, duke e marrë me vete në ngjitjet që bën në mal.

Markus ka nisur të ngjisë malet që në moshën 3-vjeçare dhe tashmë është shndërruar në shokun më të mirë të gjyshes. Ata janë të pandarë nga njëri-tjetri  pjesën më të madhe të kohës, veçanërisht fundjat i kalojnë duke ngjitur male.

Lavdie Sulo dhe nipi i saj Markus ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfyen marrëdhënien e tyre dhe eksperiencën në ngjitjen e maleve të ndryshëm.

“Unë e kam nisur të ngjis male 6 vite më parë. Në fillim ishte e e vështirë, por nuk u dorëzova, vazhdova. Kur Markus ishte 3 vjeç thash ta marr me vete, të ngjiste aq sa mundej. Kur bëri 4 vjeç ne e bënim Dajtin të dy bashkë pa asnjë ndihmë, edhe kur ishte borë. I kalita dëshirën për malin dhe durimin, sepse ai nuk thoshte asnjëherë më merr në krahë se u lodha”,

tregoi Lavdie Sulo.

“Mbaj mend herën e dytë që kam ngjitur Dajtin me nënën, binte breshër dhe nëna më tha të kthehemi, por unë i kërkova të shkonim në majë. Kur arritëm në majë u ndjeva mirë. Kemi ngjitur natën në Dajt, kemi ngjitur Malin e Thatë kur ka qenë me borë, Korabin edhe Çikën. Kur ngjitëm Malin e Thatë, ishte dëborë, mu lagën këmbët, ishte pak e vështirë. Unë jam në klasë të dytë tani dhe shokët e klasës nuk më besojnë që ngjis malet”,

tha Markus Nezaj.

/tvklan.al