Historia e rrallë e mjekut Shyqyri Haxhia (Video)

Historia e rrallë e mjekut Shyqyri Haxhia (Video)

18:55 15/06/2019

Historia e tij është e rrallë. Prej 51 vitesh mjek në Spitalin e Lezhës, Shyqyri Haxhia është ndër të parët kirurgë të qytetit që kur spitali është hapur në fund të viteve 60-të. Me përkushtimin ndaj profesionit dhe komunitetit, ai i ka kaluar ditët dhe shpesh edhe netët në atë spital.

“Unë nuk kam njohur ndonjëherë orarin e fillimit apo të mbarimit të punës, nuk kam bërë asnjëherë leje të zakonshme. Kam qenë 25 vjeç kur kam nisur punë. Operacionin e parë ne si operatorë të Lezhës e kemi bërë në një fshat, që është rreth 6 kilometra larg. Jemi nisur me ambulancë dhe me veglat e kirurgjisë, kemi udhëtuar gjithë natën dhe kemi operuar një grua që lindi dy binjakë”, tha Haxhia.

Shyqyri Haxhia është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” në Lezhë për kontributin në spital, por edhe si drejtues i Kryqit të Kuq të qytetit. Atij nuk i mungonin kualifikimet për t’u zhvendosur diku tjetër, por arsyeja përse ka qëndruar kanë qenë njerëzit.

“Unë kam mbaruar në moshën 25-vjeçare studimet në Tiranë dhe jam kthyer në Lezhë. Kam pasur fatin e mirë të punoj me mjeshtrat e kirurgjisë. Më kanë propozuar të zhvendosem në Tiranë dhe në Elbasan, por kam refuzuar sepse këtu kisha bashkëqytetarët dhe populli më donte. Në fillim kemi punuar në kushte shumë të vështira, por tani kemi pajisjet më moderne”, tregoi mjeku.

Po aq vite sa ka në atë spital ka edhe me bashkëshorten e tij, infermieren Remzie Haxhia, më të cilën kanë dy djemë.

“Në spital jam njohur edhe me bashkëshorten, e kam pasur kolege. Ajo punonte si infermiere në repartin e kirurgjisë. U dashuruam dhe u martuam. Një vit më pas lindi fëmija i parë dhe 5 vite më vonë fëmija i dytë”, shtoi ai.

Edhe pse ka dalë në pension, Shyqyri Haxhisë nuk i shkon ndërmend të braktisë profesionin, të cilit i ka dedikuar jetën.

“Aktualisht unë punoj si vullnetar. Kolegët e mi më kanë lënë një dhomë ku unë të kem mundësi të vizitoj dhe të marr pjesë në konsulta. Ndonjëherë hyj edhe në operacion, por gjithmonë duke iu qenë mirënjohës atyre që ma kanë bërë këtë favor. Nuk do të heq dorë asnjëherë nga profesioni, vetëm nëse s’më lejon shteti”, përfundoi Shyqyri Haxhia./tvklan.al


Delta
LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori