Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte Thanas Jaçe, asimptomatiku i cili rezultoi pozitiv nga Covid-19.

Ai tregoi se pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja, vajza e tij së bashku me dhëndrin dhe mbesën ishin ata që kishin shfaqur temperaturë dhe simptoma të tjera.

Pasi bënë tamponin për virusin rezultoi se 4 pjestarët e tjerë të familjes, që kishin shfaqur shenja ishin negativë, ndërsa Thanas Jaçe që nuk kishte asnjë simptomë rezultoi pozitiv.

Pas marrjes së rezultatit, ai u veçua nga familja dhe jetoi i vetëm në një tjetër shtëpi.

Thanas Jaçe: U sëmur dhëndri 3-4 ditë, e kaloi ai me mjekimet që i dha doktori i familjes, pas tij vajza e vogël, mbesa ime 24 orë me temperaturë 37 e gjysmë, pastaj vajza ime ndenji 4 ditë dhe mori mjekime nga doktori i familjes. Pastaj u sëmur gruaja ime në datën 4 Prill. Në datë 4 deri 7, temperatura e gruas sime ishte 37 e gjysmë-38 dhe një ditë i vajti 39 dhe unë u detyrova të lajmëroj urgjencën. Erdhën bënë ato matjet e tyre dhe i thanë gruas nuk ke virus dhe u larguan. Pas mesnate, gruaja u djersit jashtëzakonisht shumë dhe unë u shqetësova, mora urgjencën dhe ata më thanë që do t’i bënin nesër testin. Vijnë për tamponin, na e morën mua dhe gruas, kaluan dhe tek shtëpia e dhëndrit, morën dhe 3 aty dhe u larguan. Të nesërmen vjen përgjigjja që 4 ishin negativë, unë dola pozitiv. Unë në të njëjtën kohë nuk kisha asnjë lloj simptome.

Mirela Milori: Pra ju që ishit asimptomatik, ju ishit me virus, ndërsa gjithë njerëzit e tjerë me temperaturë…?

Thanas Jaçe: Me mungesë oreksi, me djersë me dhimbje kyçe ata dolën negativë, unë dola pozitiv. Më pas unë kaloj i veçuar, qëndroj në shtëpi tjetër pa patur asnjë lloj kontakti. Lajmëroj doktorin e familjes në mënyrë urgjente dhe i them kam dalë kështu, nga sot e tutje do ndjek këshillat e tua dhe të personave të tjerë. 

Mirela Milori: Çfarë ndjeje? Po mos kishe bërë testin ishe njësoj si më parë, apo kishe ndonjë debulesë të lehtë, apo çfarë ?

Thanas Jaçe: Unë vetë kisha pak fare kollë, asnjë gjë tjetër. Isha shumë në rregull, pa probleme, pa temperaturë, me oreks të plotë, pa djersitje, me tension të rregullt, me të gjitha gjërat shumë në rregull./tvklan.al