Tvklan.al ishte këtë të hënë në Bubq, ku pa nga afër situatën e krijuar si pasojë e tërmeteve. Një prej shtëpive tashmë të pa banueshme është edhe ajo e Musa Dacit në lagjen “Mazhë e Madhe”. Kryefamiljari tregoi se shtëpia e tij është shkatërruar totalisht dhe aktualisht 5 anëtarët e familjes së tij jetojnë në çadër.

Pamjet flasin vetë. Është një mrekulli që kjo familje nuk pësoi dëmtime në njerëz. Kjo shtëpi e ndërtuar në 1989-n, është dëmtuar në strukturat e saj mbajtëse.

“Momentin kur ra tërmeti kemi qenë brenda. Unë isha në dhomën e pritjes, fëmijët ishin në dhomën e vet, gruaja ishte këtu. Nuk kam dëgjua gjë, vetëm kur nisi të bërtasë gruaja. Unë nuk mund të çohesha, ngela shtrirë. Fati jonë që nuk na prekën tullat”.  

Kush po ju gjendet pranë?

“Faleminderit ju që keni ardhur, sepse deri tani tek unë nuk ka ardhur asnjë. Na kanë sjellë vetëm ndihma”.

Musa Daci tregon më tej se banesa e tij kishte pësuar dëmtime të shumta edhe nga tërmeti i 21 Shtatorit, të cilën e konsideron si zanafillën e gjithçkaje.

Ju kanë ardhur grupe inspektuese për të parë situatën dhe si e kanë cilësuar shtëpinë?

“Po, pas 21 Shtatorit kanë ardhur. Kanë ardhur dy komisione, njëri e nxori jashtë përdorimit, komisioni i dytë e nxori të banueshme”

Apeli i tij Musa Dacit për shtetin është që ta ndihmojë sa të ketë mundësi. “Vetëm shtëpinë dua, asgjë tjetër”, thotë ai.

Kryefamiljari rrëfeu për tvklan.al edhe për fatkeqësinë e ndodhur në familjen e tij, vite më parë.

“Brenda një 5-vjeçari kam 4 xhenaze. Babën, nënën, gocën, djalin. Në moshën 33, 36, 87, 93 vjeçare që kanë ndërruar jetë. Djali 36-vjeç, beqar, në Itali, atje ka dhënë shpirt. Edhe vajza po ashtu, 33-vjeçe, më ka lënë dy fëmijë, edhe ajo me po të njëjtën sëmundje më ka dhënë shpirt në Itali”.

Teksa Musa Daci tregonte historinë e tij të aktori Bes Kallaku nuk mundi t’i mbante dot emocionet.

I përlotur ai tregoi edhe amanetin e djalit të Musait, i cili kishte një dëshirë, që pasi të kthehej nga Italia, t’i bënte shtëpinë prindërve. Një dëshirë, e cila nuk do të realizohej dot dhe tashmë Musait i duhet të përballojë edhe fatkeqësinë e tërmetit.

Ndërtimin e shtëpisë së familjes Daci e mori përsipër këngëtarja me famë ndërkombëtare Bebe Rexha, e cila këtë të hënë udhëtoi drejt vendit tonë./tvklan.al