“Historia ime” në Tv Klan solli sot historinë prekëse të një vajze 28-vjeçare nga qyteti i Elbasanit. Prej 7 vitesh, Florida Tufa u diagnostikua me sklerozë të shumëfishtë. Kjo sëmundje është një patologji e sistemit nervor qëndror, për të cilin shkaqet janë të panjohura.

Ajo karakterizohet me zhveshjen e fijeve nervore në sistemin nervor qëndror, të cilat kontrollojnë lëvizjet e muskujve. Kjo patologji manifestohet në mënyrë të ndryshme tek secili individ, duke filluar nga dhimbjet e muskujve deri në pamundësi për të ecur.

Në studio, Florida ka treguar se sëmundja ka avancuar së tepërmi dhe prej 4 vitesh ajo nuk mund të eci. Gjatë kësaj kohe ka marrë mjekime të ndryshme, por pa asnjë rezultat.

Mirela Milori: Si ka qenë jeta jote para sëmundjes?

Florida: Jeta më ka përballur me shumë sfida. Mami më ka vdekur në ’97 me plumb qorr, kur unë isha 5 vjeçe. Pavarësisht kësaj disfate që kam pasur, Zoti më mori mamin biologjike, por më solli në jetë një tjetër ëngjëll, që unë e quaj ëngjëlli im mbrojtës. Kemi një dashuri reciproke për njëra-tjetrën. Babin e kam krahun tim të djathtë. Jam me fat për këtë gjë. Tani përballem me një sfidë tjetër?

Mirela Milori: Që është skleroza e shumëfishtë?

Florida: Po.

Mirela Milori: Kur fillloi?

Florida: Në fund të vitit të tretë të universitetit, filluan shenjat e para të sëmundjes, se unë kam mbaruar degën anglisht. Fillimisht ndihesha shumë e lodhur, s’kisha fuqi, më pas sëmundja avancoi edhe më shumë, kisha humbje të ekuilibrit. Tani prej 4 vitesh nuk mundem dot të eci fare. Kam qenë në Angli, Itali, shumë herë kam përdorur shumë medikamente, por pa asnjë rezultat.

Ajo më tej tregon se ka kërkuar në internet për ndonjë zgjidhje për sëmundjen e saj. Florida zbuloi që në Beograd bëheshin qeliza staminale. Për një sqarim më të detajuar, Florida shkoi aty dhe bëri një konsultë, ku mjekët rusë i dhanë shumë shpresë.

Florida: Nëse unë do mund të bëj tre ndërhyrje, do mund të jem Florida e dikurshme, do bëj një jetë normale. Por këto ndërhyrje që duhet të bëj unë patjetër kushtojnë shumë, 40 mijë Euro. Babi im ka marrë shumë kredi, shumë borxhe. Shpresoj që me ndihmën e Zotit dhe me ndihmën e gjithë shqiptarëve do mund ta fitoj këtë betejë. /tvklan.al