Histori me zhurmues – Historia e tij dramatike fillon në vitin 1979. Bëhet fjalë për Valeri Dyrziun, i cili në atë kohë ishte një i ri nga Tirana.

I ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Valeri Dyrzi rrëfeu kalvarin e vuajtjeve dhe sakrificat gjatë periudhës së komunizmit.

Ai përshkruan si burgun e parë momentin kur i arrestuan nënën ruse në ’76 dhe më pas arrestimin e tij në ’79. Gjatë intervistës ai tregon vështirësitë në burg dhe kujton momentin e lirimit ku e ka pritur babai i tij.

“Në vitin 1979 unë isha ushtar dhe hapnim tunele, bënim beton natë e ditë nën terrorin e fjalëve, norma, burgu, leje. Ky trekëndësh ku u gjenda ishte një kafaz ku doja të dilja sa më shpesh për të takuar nënën time që ishte në burgun e grave të Kosovës. Largohem pa leje një ditë për të takuar nënën dhe më vonë do të akuzohesha për “tradhëti ndaj atdheut” dhe “tentativë arratisje”. Ndërkohë që unë doja vetëm t’i rrija pranë një gruaje të huaj e cila nuk braktisi familjen për hirë të dashurisë duke mos marrë parasysh politikën.

Më 4 tetor 1976 filloi burgu im i parë, kur u ktheva nga fshatrat e Tiranës ku bëja stazhin si arsimtar nuk gjeta në shtëpi nënën time. Nisem menjëherë drejt qendrës së Tiranës ku jetonin hallat e mia. Pyes hallën për mamanë, ajo uli sytë dhe më thotë: E morën.

Filloi kalvari i një njeriu që në ’79 jetonte me tmerrin e ’76 së nënës së tij dhe nuk dinte se kur do ta arrestonin. Ishin hapur dosjet, vinin njerëz që na provokonin, që na spiunonin. Arrestimi im ka qenë gjëja më liberale që kam ndjerë në ato kohë. Kur më vunë prangat dhe më thanë: Në emër të popullit je i arrestuar, thashë me vete shpëtova.

Kisha vite që kur dëgjoja zhurmën e ndonjë makine thosha erdhën, ishin vite me tension që më krijuan edhe një disekuilibër psiqik. 1979 filloi me arrestimin tim, me muret e burgut me myk dhe dritare 30 cm të mbyllura me rrjetë të padepërtueshme. Ajo ishte bota jote, një bidon ku të urinoje dhe miu me të cilin mund të bëje shoqëri.

Hetuesia ime qe e gjatë, me një astmë të tmerrshme ku nuk merrja dot frymë. Përpara meje kisha një trup gjykues injorant. Nuk më interesonte më dënimi, por në atë moment nuk mendoja për dënimin, por të shihja njerëzit dhe të shihja diell. U dënova 13 vjet. Gjendja ime si i sëmurë me astmë më bëri të kem fatin të shkoj në kampin e Ballshit ku qëndronin shumë të sëmurë. Kur u hapën dyert ishte tmerri më i madh që pashë, njerëzit ishin si kavje. Kur mendova se jeta ime do të vazhdonte aty, thashë është shumë më e mirë se në birucë. Aty kishte shumë njerëz të shkolluar, aty lexohej dhe njerëzit kërkonin të mësonin. Një ditë fillova të qëndis dhe shumë nga të dënuarit u habitën dhe për herë të parë burrat filluan t’i kërkojnë grave penj për qëndisje për të kaluar kohën. Unë iu pikturoja figurat dhe ata qëndisnin. Kjo bëri një atmosferë të bukur. Pas vdekjes së Enverit erdhi momenti i lirimit. Jashtë më priste im atë. Ishte një ditë e bukur. Kur arrita pranë shtëpisë pashë sa shumë ishin rritur pemët. Aty kuptova se sa vite jetë kisha humbur”, rrëfeu Valeri Dyrzi.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al