Lojërat Ballkanike të vitit 1946 dhe ngjarje të tjera të rëndësishme të këtij viti ishin në qendër të emisionit të sotëm “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

Një dokumentar ekskluziv i Televizionit Klan, i sjellë nga kinoarkivat e ish-Jugosllavisë, shfaqi 35 minuta imazhe të patransmetuara ndonjëherë për publikun shqiptar, të Lojërave të para Ballkanike të pasluftës të zhvilluara në Tiranë.

Një dëshmi e rrallë erdhi nga njeri prej pjesëmarrësve dhe dëshmitarëve të kesaj ballkaniade, Prof. Dr. Skënder Begeja, atlet dhe ish-futbollist i ekipit tonë kombëtar dhe i Akademikut të Sofjes së atyre viteve.

Konferenca e Paqes e mbajtur në Paris është një nga ngjarjet më të rëndësishme politike të atij viti. Rreth kësaj foli ish zv. Ministri i  Brendshëm i kohës, shoqërues i Enver Hoxhës në konferencë, koloneli në pension, Myftar Tare.

Gjatë rrëfimit të tij mësuam detaje të patreguara gjatë udhëtimit për Paris, takimet e Enver Hoxhës me Titon, Godvaldin, Kardelin, Molotovin, me emigrantët shqiptarë në Francë dhe anëtarë të Partisë Komuniste të Francës.

Një panoramë të atmosferës politike pas shpalljes së Republikës Popullore dhe Socialiste në vitin 1946 na i shpalosi Niko Kirka, ish i përndjekur politik, me banim në SHBA.

Ai solli dëshmi mbi jetën e të atit, Kristo Kirka, një nga themeluesit e shoqatës “Vatra” në Boston, mik i ngushtë me Fan Nolin, nënprefekt i Himarës dhe kryetar i Bashkisë së Korçës gjatë periudhës së monarkisë. Niko rrëfeu edhe për vdekjen e të atit në mënyrë tragjike në burgun e Burrelit gjatë periudhës së diktaturës./tvklan.al