Historia e veçantë, dy motrat: Në shtëpinë e shoqes tonë na strehuan pa asnjë lloj detyrimi



Historia e veçantë, dy motrat: Në shtëpinë e shoqes tonë na strehuan pa asnjë lloj detyrimi

14:53 24/05/2020

Dy motrat nga qyteti i Beratit rrëfyen në rubrikën ”Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan historinë e veçantë të jetës së tyre. Etleva dhe Teuta treguan se në vitin ’97, ato ishin në shkollë dhe jetonin në një konvikt në Elbasan sepse nuk kishin të afërm në atë qytet.

Konvikti nuk ishte në kushte të mira dhe vajzat ndiheshin të frikësuara për shkak të situatës në atë periudhë.

Por shoqja e tyre Blerina bisedon me prindërit dhe vendosin që t’i mirëpresin në shtëpinë e tyre.

Motrat tregojnë se aty u ndjenë si në shtëpinë e tyre dhe ata u bënë familja e dytë për to duke iu dhuruar përkrahje, mbrojtje dhe dashuri.

Teuta: Etleva vjen dy javë pas meje dhe që ditën e parë që shkon në auditor takohet me shoqërinë e saj dhe një ndër to dhe shoqja jonë e shtrenjtë Blerina.

Etleva: Më tha Etleva ti ku qëndron. Në konvikt i thashë. Po pse, nuk ke frikë nga këto që po ndodhin. Kam po ç’të bëj thashë, se nuk kam asnjë person të njohur dhe të afërm këtu në Elbasan. Heshti për momentin, nuk më foli të më kthente përgjigje, seç bisedoi në familjen e saj, ne edhe sot e kësaj dite nuk jemi në dijeni të bisedës së tyre, por ditën tjetër kur kthehemi sërish në ambientet e Universitetit më thotë: Etleva ti sëbashku me motrën do vini të qëndroni në familjen tonë. U emocionova Ardit, nuk kam si t’i shpjegoj ato emocione.

Ardit Gjebrea: Ju i njihnit prindërit e shoqes tuaj?

Etleva: Jo absolutisht nuk i njihnim, njihja vetëm motrën e Blerinës, Anilën sepse ishte pedagogia ime e Italishtes. Edhe ajo si Blerina reflektonte një qetësi, mirësi.

Ardit Gjebrea: Normal e ka emrin Anila!

Etleva: Patjetër, Anilat të gjitha janë shumë të mira! Ngurova që t’i ktheja përgjigje, që po do të vij të qëndroj sepse emocionet të jetosh në një familje të panjohur, aq më tepër që pedagogia ime do të bashkëjetonte më mua për një kohë.

Ardit Gjebrea: Po shkuat?

Etleva: Me familjen nuk kishim komunikuar që t’iu thonim prindërve që ne na ka ftuar Blerina për të jetuar në këtë periudhë të keqe atje, telefonat nuk ishin si sot që ne të komunikonim.

Ardit Gjebrea: Pra bëhet fjalë për 23 vite më parë?

Etleva: Po!

Ardit Gjebrea: Dhe shkuat tek shtëpia e Blerinës?

Etleva: Përfundimisht Ardit shkuam tek shtëpia e Blerinës!

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti i parë?

Etleva: Momenti i parë ishte se si do përballeshim me prindërit e saj.

Ardit Gjebrea: Si ishin ata?

Etleva: Ata ishin dy njerëz të mrekullueshëm, në sytë e tyre rezultonte një qetësi.

Ardit Gjebrea: Ju liruan një dhomë?

Etleva: Po na liruan një dhomë, ku ne qëndronim të dyja, studionim, ndiheshim si në shtëpinë tonë, na mirëpritën me fjalë të ëmbla, të ngrohta.

Ardit Gjebrea: Ju ushqeheshit aty, mëngjes, drekë, darkë?

Etleva: Mëngjes, drekë, darkë.

Ardit Gjebrea: Pra u kthye në një shtëpi tjetër për ju?

Etleva: Po kundrejt asnjë lloj detyrimi./tvklan.al




Të ngjashme