E ftuar në programin “Rudina” në TV Klan pasdite e kësaj të mërkure ishte një shkrimtare e njohur shqiptare, e cila spikat me natyrën e saj të të shkruarit, por edhe mjeshtërinë në përshkrimin e detajeve.

Bëhet fjalë për Mira Meksin, e cila në studio ka rrëfyer detaje për librin e saj më të fundit, “Diktatori në kryq”.

Shkrimtarja sjell anët e errëta dhe pikat e dobëta të diktatorit Enver Hoxha në romanin e ri. Diktatori dhe kryqi janë dy anët të kundërta të medaljes, por Meksi me këtë titull ka ndarë edhe linjat e romanit.

“Diktatori në kryq” është një libër i ndërtuar me fakte historike, por i rrëfyer me një gjuhë të pasur letrare dhe simbolike që i flet lexueseve të gjerë.

“Mua gjithmonë më ka pëlqyer të futem në botën e brendshme të njerëzve shumë të fuqishëm. Kur njoha këtë histori, nga një kronikë televizive në fakt se nuk e dija ekzistencën, dija diçka për ekzistencën e kishës, por jo çfarë ishte ajo. Kur shkova dhe pashë gjithë këto, atëherë mendova, aq më tepër lidhja, ky kryq është marrë nga e bija e Enver Hoxhës. Menjëherë u bë lidhja në fantazinë e shkrimtarit, kjo është ideja fillestare dhe duke u kapur mbas kësaj ideje fillestare, le të themi kam punuar siç bëhet në të tilla raste. Autori trillëzon, i kthen në trill, i kthen në roman, në vepër artistike ngjarjet historike. Është Enver Hoxha, por nuk është vetëm Enver Hoxha, janë gjithë diktatorët e Pasluftës së Ftohtë, diktatorët e kuq le të thuash, të cilët përveç karakteristikave të përbashkëta, patën edhe diçka shumë “interesante”. Se këta njerëz akaparuan arin, u bënë dhe shkrimtarë, këta shkruan edhe vepra, jo vetëm shkruan, por edhe imponuan, bënë vepra dhe metoda”.

Më tej, ajo rrëfen se ky roman është frymëzuar nga historia e vërtetë e Kryqit të Labovës. Me një moshë më shumë se 15 shekullore, Kisha e Labovës së Kryqit vlerësohet si një prej monumenteve më të rralla historike, fetare e kulturore të Shqipërisë. Ajo njihet si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në gjithë botën.

Nga periudha bizantine deri më sot, quhet Labova e Kryqit dhe emri lidhet me kryqin e kishës në fjalë. Historia e Kryqit të Labovës zë fill në vitin 326 pas Krishtit. Ky kryq u nda në dy pjesë, një pjesë mbeti në Jeruzalem dhe pjesa tjetër u dërgua në Kostandinopojë.

Disa copa druri nga ky kryq u shpërndanë, një prej tyre mendohet se gjendej në kryqin e Kishës së Labovës. Kur në vitin 1967, u shkatërruan të gjitha kultet fetare, ky kryq u fsheh dhe u ruajt. Ai u vodh në vitin 1989 dhe asnjëherë nuk u gjet, pavarësisht kërkimeve nga ana e banorëve apo apeleve të shumta për rikthimin e tij në kishën e Shën Mërisë në fshatin Labovë e Kryqit./tvklan.al