Histori me zhurmues – Filip Meshi është quajtur ndryshe veterineri i Alpeve. Ai ishte një nga të ftuarit e emisionit “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço nga ku rrëfeu vështirësitë që ka hasur gjatë punës së tij si veteriner në Tropojë.

“Unë jam nga Lekbibaj, shkollën fillore dhe 7-vjeçaren i kam mbaruar në Shkodër. Jam rritur në Shtëpinë e Fëmijës, kujtoj edhe sot drejtoreshën që kemi patur dhe nuk harroj t’i them nënë. Që në klasë të parë kam jetuar në jetimore. Unë dhe dy vëllezërit mbetëm jetimë dhe na stabilizuan në Shtëpinë e Fëmijës. Aty nuk kemi ndjerë krizën e bukës, kishim një trajtim të mirë për kohën. Si shkollë të mesme unë kam mbaruar Liceun dhe më pas kërkova të vazhdoja Veterinerinë. Më pëlqente të eksperimentoja. Në vitin ‘62 mbarova fakultetin dhe menjëherë kam filluar punë. Brenda një periudhe 5-6 vjeçare u arritën rezultate të dukshme. U fenuan shumë sëmundje, u vu disiplinë. Në atë kohë organizimi i punës ishte i vështirë, mua më duhej të ecja 8-9 orë në këmbë, unë mbuloja gjithë rrethin e Tropojës. Krahas punës nisa të bëj edhe një laborator shkencor. Ishte e vështirë për fonde, por pata iniciativën jashtëligjore dhe e bëra. U bë laborator i nivelit të lartë dhe në vitin 1975 përfundoi. Një nga studimet që kemi bërë është edhe vaksina e dhenve, të cilën më parë e merrnim nga Kina. Bashkë me një koleg prodhuam vaksinën që është edhe sot”, tregoi Filip Meshi.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv