Maurizio Minghella do të duhet të përballet me një akuzë të re për vrasje. Vrasësi serial i prostitutave, i dënuar me 131 vite burg është ridërguar për gjykim në Torino të Italisë, për vrasjen e Floreta Islamit, prostituta shqiptare e mbytur me shall në fushat e Rivolit 19 vite më parë, më 14 Shkurt të vitit 1998.

Trupi gjykues pranoi kërkesën e prokurorit Roberto Sparagna, i cili vitin e shkuar kishte rihapur hetime për “dosjen e ngrirë”.

Minghella, i cili sot është 59 – vjeç, është dënuar në gjykatën e Kasacionit për vrasjen e 7 prostitutave, 4 në Genova e 3 në Torino.

Në mesin e viktimave janë edhe shqiptaret Nadia Shehu 24 – vjeçe, Heriona Sulejmani, 16 – vjeçe dhe Elisa Jaku 22 – vjeçe. 

Vrasësi serial është dënuar edhe për rrëmbim e shfrytëzim, gjithnjë në dëm të prostitutave. 

Minghella përdorte litarë, rripa, çorape të holla, shalle për të mbytur viktimat. Në vitin 1978 Minghella u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e 5 prostitutave. Pas 18 vitesh, ai u lirua nga burgu dhe u zhvendos në Torino, ku bëri edhe vrasjet e tjera./tvklan.al