“Historia Ime” në Tv Klan nga Mirela Milori trajtoi sot historinë e një bashkëshorteje dhe nëne 37-vjeçare, me dy fëmijë, një djalë 15 vjeç dhe një vajze 10 vjeç.

Martesa e saj u krye në moshë të hershme kur ishte rreth 17 vjeçe, e nisur me mblesëri nga ish-vjehrra, e cila kërkonte më shumë dikë që ta ndihmonte në punët e saj.

Arsyeja e ardhjes së saj në studio është tradhtia e bashkëshortit. Ai e ka tradhtuar shumë herë, edhe pse ajo është përpjekur t’i falë dashuri dhe të bëjë gjithçka për familjen, por kjo nuk mjaftoi.

Tradhtia e parë ndodhi kur zonja ishte e re, rreth të njëzetave dhe asokohe jetonin në Greqi. Ishte vetë bashkëshorti që i tha se kishte një shoqe që e ndihmonte me çfarë i nevojitej pasi ra në burg. Ajo e nxori nga burgu dhe historia u përsërit sërish. Zonja e ka falur shumë herë që prej asaj kohe, për hir të dashurisë dhe fëmijëve.

Mirela Milori: Je e lënduar se të tradhtoi?

Zonja X: Jashtë mase.

Mirela Milori: Je e lënduar se e humbe, je e lënduar se ka ikur dhe pavarësisht se të ka tradhtuar, do ta falje? Ma shpjego pak, çfarë ndodh me ty?

Zonja X: Luftova kaq gjatë dhe familjen nuk e mbajta dot. Vetëm për këtë.

Mirela Milori: Luftove në ç’kuptim? Ai të ka tradhtuar me kohë apo ky është rasti?

Zonja X: Më ka tradhtuar shumë herë, shumë herë, fal, fal, fal, gjithmonë e kam mbajtur pranë.

Mirela Milori: Kur ka qenë rasti i parë që e mësove që ai tradhtonte?

Zonja X: Në Greqi.

Mirela Milori: Ju shkuat në Greqi? Sa fëmijë kishit?

Zonja X: Vetëm djalin kisha.

Mirela Milori: Sa vjeçe ishe ti?

Zonja X: E re isha, 20 vjeçe. Atje ai punonte me klandestinët.

Mirela Milori: Kalonte njerëz në mënyrë të paligjshme?

Zonja X: Po, atje njihet me një femër, një Miranda, nuk ka rëndësi rrethi, por emrin ia mësova. Ma tregoi edhe vetë sepse çdo gjë që bënte ma thoshte.

Mirela Milori: Si ta thoshte? E mësove vetë ti apo ta tha ai që kam një raport.

Zonja X: “Kam një shoqe”, më thoshte. Ra në burg, u kap, më thoshte “Kam një shoqe, më mban me cigare, me lekë, më ndihmon”.

Mirela Milori: Ishte raport histori apo raport kalimtar?

Zonja X: Raport kalimtar filloi, pastaj u bë miqësi se kjo ikte e vinte si klandestine. I kap të dy policia, bien në burg të dy, më merr në telefon, më shpjegon. Në Greqi me qera, një fëmijë gjashtë muajsh, kushtet nuk i kishim dhe aq, gjuhën s’e dija. Marr vëllain në telefon dhe ia tregoj, më thotë “mos u mërzit, do ta nxjerrim”. Paguan vëllai 3000 euro, e nxorëm, pas 2-3 muajsh, po me të njëjtin person, kapet prapë. Më merr një avokate që e kishte gjetur ai, por duheshin prapë para dhe do paguante përsëri vëllai im. Avokatja më thotë “Shiko jetën tënde se ky nuk qenka person për ty”, edhe greke madje, pa e njohur, pa e takuar. Ia dërgoj atij paratë me postë, e prita përsëri.

Mirela Milori: E fale prapë?

Zonja X: E fala prapë.

Mirela Milori: Po si është ky procesi i faljes? Më vjen keq që të pyes, nuk dua të të rëndoj. Unë e kuptoj kur ka fëmijë në mes, kam dëgjuar shpesh ta thonë që  e kalojnë se fundja burri është burrë, kështu themi ne. Por falja, si e kupton kur është e vërtetë dhe njeriu nuk të trondit më jetën dhe kjo pastaj kur përsëritet? Me çfarë fytyre erdhi të kërkoi falje? Si të tha? Apo nuk të kërkoi? Më thuaj të vërtetën.

Zonja X: Më kërkoi, por unë me atë idenë se do ndryshojë.

Mirela Milori: Tani të kërkoi falje vërtet apo ty të pëlqente sikur po të kërkonte falje? Apo doje thjesht të vinte, sikur edhe pa falje fare, vetëm të vinte? E doje se nuk ka ndonjë gjë këtu, ti doje babanë e fëmijës tënd.

Zonja X: E doja, familjen e doja.

Mirela Milori: Familja është tjetër gjë, këtë burrë, babain e fëmijës tënd, e doje?

Zonja X: E doja.

Mirela Milori: E doje pa kushte, edhe me të gjitha këto, e doje?

Zonja X: E doja./tvklan.al