Një 26-vjeçare nga Tirana, nëna e një djali 5 vjeç, ka ardhur në studion e “Historia Ime” në Tv Klan për të rrëfyer historinë e saj dhe për të kërkuar ndihmë. Nëna e saj këmbënguli për ta martuar kur ajo ishte vetëm 16 vjeç dhe zgjodhi një njeri 14 vite më të madh se vajza e saj.

Për shkak të problemeve me kunatën dhe vjehrrën, bashkëshorti nisi ta godiste edhe kur ishte shtazënë, ndonëse ata të dy nuk kishin probleme mes njëri-tjetrit. Konfliktet e tyre shkaktoheshin shpesh nga kunata e saj dhe ai nuk pranonte të jetonin në një shtëpi më vete. Një nga konfliktet arriti deri në kërcënimin me thikë.

Mirela Milori: Më the që kishte dhunë, cila ka qenë arsyeja? Të shkosh deri te dhuna fizike ka një arsye të fortë. Për çfarë për shembull? Për ngarkesën që kishe me kunatën?

Vajza: Nga ngarkesa që kisha me kunatën, por deri në atë farë pike që arriti deri te thika.

Mirela Milori: Si si?

Vajza: Arriti dhuna te thika.

Mirela Milori: Në ç’kuptim? Ma përshkruaj pak.

Vajza: Kunata po zihej me mua dhe në ato momente u nxeh ish-burri. Unë isha shtatzënë dhe si gjithë femrat që bëjnë punë shtëpie, ngrita një peshë të rëndë, ajo bërtiti dhe i tha ish-burrit.

Mirela Milori: Ajo i tha ish-burrit që ngrite pesha? Për të mirë në fakt, se ti nuk duhej të ngrije pesha kur ishe shtatzënë.

Vajza: Ajo nuk bënte sa bëja unë në shtëpi.

Mirela Milori: E kuptoj, filluan raporte të gabuara.

Vajza: Në këtë moment, ish-bashkëshorti nuk më tha gjë, më tha “Pse e ke bërë?”, i thashë “Po kush do t’i bëjë po nuk i bëra unë?” dhe më pas u zunë, arriti deri te thika “Jo të vras, jo të bëj”, i thashë “Stop! Mjaft të kam duruar! Është më mirë të shkoj unë në shtëpinë time e ti në shtëpinë tënde”, më pas mora rrobat e ika.

Mirela Milori: Ky episod i thikës ishte i përsëritur? Ishte njeri i dhunshëm?

Vajza: Ishte shumë njeri i dhunshëm.

Mirela Milori: E kishte vetëm me ty apo me këdo?

Vajza: Me këdo.

Mirela Milori: Edhe me mamanë e tij, me kunatën? Me mamanë s’besoj.

Vajza: Po po, edhe ndaj mamasë.

Mirela Milori: Ti vendose të kthehesh. Djali erdhi në jetë duke qenë nuse në atë shtëpi apo në banesën e prindërve të tu?

Vajza: Djali erdhi në jetë në banesën e prindërve të mi.

Mirela Milori: Erdhi, e pa fëmijën?

Vajza: E ka parë gjithsej tre herë, pasi është rritur tani nuk e ka kërkuar më, thotë “Nuk e dua më”.

26-vjeçarja është shpërngulur prej vitesh në shtëpinë e prindërve dhe aktualisht nuk punon pasi kujdeset për nënën e saj invalide. E vetmja gjë që ajo kërkon është të kryhet divorci me ish-bashkëshortin./tvklan.al