Talk show i ri nën drejtimin e moderatores, Mirela Milori nisi sot puntatën e tij të parë në TV Klan. “Historia ime”  do të sjellë për shikuesit, aktualitet dhe tematika të ditës, investigime që shkojnë përtej lajmeve të kronikave, rrëfime njerëzore dhe të vërteta. Ky format do të ofrojë për publikun histori, të cilat do të identifikohen me problematika dhe tematika të ndryshme. Opinionet dhe reflektimet e ekspertëve të fushës së psikologjisë dhe asaj ligjore nuk do të mungojnë në interpretimin e çdo rasti që do të trajtohet në program.

Historia e parë e përcjellë ishte një denoncim i fortë, i një avokateje të njohur në Tiranë, Denisa Daka.  Ajo solli një pjesë të realitetit, pikërisht atë të ngacmimeve seksuale në punë.  Një vajzë ka trokitur në derën e saj dhe ka treguar historinë e ndjeshme dhe prekëse të jetës së saj. Vajza ishte shantazhuar prej muajsh nga punëdhënësi i saj. I duhej të punonte dhe studionte njëkohësisht, pasi familja nuk mund ta suportonte financiarisht.

Gjatë rrëfimit të saj për avokaten, ajo i kishte treguar se punëdhënësi i saj, babai i tre fëmijëve prej muajsh, i kërkonte pareshtur që krahas punës të plotësonte dhe dëshirat e tij seksuale, për të siguruar pagën aty. Si rezultat i këtij shantazhi, e reja vendos të braktisë vendin e punës, që ishte njëkohësisht dhe mundësia e vetme për të mbijetuar këtu në Tiranë.

Kërkoi të niste një proces gjyqësor kundër punëdhënësit të saj, por kur u njoh me procedurat që do të ndiqeshin kundra tij, e frikësuar nga pasojat u tërhoq të vijonte betejën ligjore.

Përveç avokates Denisa Daka, e cila e kishte bërë publik rastin përmes rrjeteve sociale, e ftuar në “Historia Ime” ishte edhe Presidentja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska.

Historia e dytë e përcjellë në programin “Historia ime“, është historia shumë e veçantë dhe aspak e lehtë e një djali 23-vjeçar, i cili është në karrige me rrota dhe është vetëshkolluar deri në klasën e pestë.

Kur ishte foshnjë vetëm dy-javëshe, Agustin Aramadhi u prek nga sëmundja e pneumonisë, një sëmundje e cila e la të paralizuar përgjithmonë. Fëmijëria e tij ka qenë e vështirë. Agustini nuk shkoi në kopsht si bashkëmoshatarët e tij dhe madje as në shkollën fillore. Në asnjë institucion arsimor nuk u pranua për shkak të gjendjes së tij fizike. Për këtë arsye, ai u detyrua të studionte në shtëpi me prindërit e tij.  Në moshën 11- vjeçare nisi shkollën, duke hyrë direkt në klasën e pestë.  Sot punon dhe është në pritje për të ndjekur studimet master.

Për të folur më shumë për këtë histori kanë qenë të ftuar: Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Bardhylka Kospiri dhe avokati Ilir Korbi.