Blerina Sulaj ka rrëfyer në studion e “Historia ime” peripecitë që ka kaluar në shtetin anglez që në momentin kur ajo ka shkuar aty. Bashkëshorti e dhunonte dhe me dy fëmijët e saj largohet nga shtëpia.

Duke qenë pa dokumente shteti anglez nuk e ndihmoi, por i mori fëmijët duke ia dorëzuar babait të tyre. Atë e sjellin me pranga në Shqipëri dhe që nga viti 2015, ajo nuk i ka parë më fëmijët e saj.

Avokati, Jodan Daci pasi dëgjoi historinë e rëndë u shpreh: E para këtu ka disa pjesë që i mungojnë historisë dhe që duhet të sqarohet me detaje. Është e pamundur që në gjithë këtë procedurë mos ketë përfunduar asnjë dokument. Është një gjë që nuk ndodh në Angli, mund të ndodhë në çdo vend por jo në Angli. Ose nuk janë marrë nga pala, ose mund të ketë humbur, ose nuk e ka kuptuar, por që ka patur dokumentacion është e sigurt. Asnjë nga veprimet nuk bëhet pa pasqyrim sepse e kërkon standarti dhe ligji anglez. Tek problemi i fëmijëve, sigurisht që autoritetet angleze e shikojnë shumë ftohtë çështjen, ata e shikojnë nga aspekti social. Ata kanë dy fëmijë që jetojnë me një njeri, i cili fatkeqësisht nuk mund t’ju sigurojë asgjë në jetë, që këtu ju hiqet kujdestaria. Për sa i përket deportimit, ata nuk mbajnë me zor asnjë shtetas që nuk do të rrijë në vendin e tyre. Si rregull kur ti kundërshton ata të lidhin me pranga, në këmbë dhe duar. Ata e kanë justifikuar me problemin që mund të kishte siguria e avionit si rezultat i rezistencës së saj. Do jetë e vështirë, ti marrë fëmijët për sa kohë zonja nuk plotëson kriteret për të qëndruar në mënyrë të ligjshme në territorin anglez.

Blerina reagon duke u përgjigjur se avokati është duke mbrojtur shtetin anglez. Sipas avokatit, çështja po trajtohet me shumë vonesë dhe duke qenë se fëmijët kanë nënshtetësi angleze nuk mund të lejohen të sillen tek nëna.

Edhe Sevim Arbana u shpreh kundër avokatit se ato që ai thotë janë vetëm në libra, sepse po bëhen të gjitha përpjekjet për këtë rast.