E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një nënë e quajtur Sonila Gashi është 37 vjeçe, nga Elbasani, por jeton në qytetin e Durrësit. Kur ishte 19 vjeçe, e martuan me shkuesi me dikë nga Elbasani. Menjëherë pas martesës ngeli shtatzënë me fëmijën e saj të parë.

Por familja e bashkëshortit nuk e donte dhe nuk e pranonte Sonilën. Vjehrra e saj, e cila ishte e ve, dëshironte të rimartohej sërish dhe ta jetonte jetën rehat, pa praninë e çiftit në shtëpinë e saj. Kur ishte 3 muajshe shtatzënë, Sonila u detyrua për shkak të rrethanave ta hiqte fëmijën e saj dhe të largohej nga shtëpia dhe familja e bashkëshortit. Por edhe pse iku nga shtëpia, bashkëshorti nuk hoqi dorë prej saj. E kërkoi sërish dhe i propozoi të jetonin më vete me qira.

Sonila pranoi dhe provuan të jetonin më vete nga ku sollën në jetë 4 fëmijë, përkatësisht dy vajza dhe dy djem, të moshave: 15, 11, 10 dhe 2 vjeç.

Kur vajza e dytë ishte 18 muajshe, ata jetonin në një shtëpi të braktisur në lagjen e komunitetit rom në qytetin e Elbasanit. Shtëpia nuk kishte as drita, as dritare. Sonila dhe bashkëshorti u munduan ta bënin një mjedis të banueshëm për ta dhe fëmijët e tyre. Vendosën një derë, e lyen, dhe në vend të dritareve kishin vendosur plastmase që të mos lejonin erën dhe shiun. Në vend të dritave, për ndriçim, përdornin qiri.

Por një ditë, teksa vajza e dytë ishte në djep, Sonila e kishte lënë qiririn pranë djepit dhe doli jashtë për të larë disa rroba. Sapo ktheu shpinën, fatkeqësisht djepi mori flakë dhe kur ajo u fut brenda e gjeti vajzën foshnje duke u djegur. E fiku zjarrin, e solli vajzën me urgjencë në Tiranë tek spitali i djegieve, ku menjëherë e operuan. Por vajza e vogël kishte pësuar goxha dëmtime, të cilat janë bërë shkak edhe për gjendjen e saj të vështirë sot.