Babai rrëfen historinë e vajzës së tij: Dhëndri ma la në mes të rrugës bashkë me 3 fëmijët

Në emisionin “Historia Ime” nga Mirela Milori në “Tv Klan” erdhi historia e zotërie nga Elbasani, një baba për vajzën dhe njëkohësisht gjysh i tre nipërve. Në fillim të martesës së vajzës gjithçka shkonte mirë, deri në ardhjen e djalit të dytë. Por komunikimi mes tyre nisi të ndryshonte dhe më pas vajza ngeli shtatzënë me djalin e tretë, ndërkohë kishte hyrë në gjendje depresioni. Pas një qetësimi të përkohshëm të gjendjes së tyre, gjërat nisën të përkeqësoheshin sërish, derisa ish-dhëndri e telefonoi babain e vajzës për t’i thënë që do të ndahej nga vajza e tij.

Prindërit e vajzës gjatë kësaj ngjarjeje ndodheshin në Itali, prandaj për këtë arsye vajza e tyre u detyrua që edhe pse të ndarë, të jetonte me ish-burrin. Një ditë, ish-dhëndri mori ish-gruan dhe fëmijët për t’i dërguar në Elbasan dhe i braktisi në mes të rrugës me të gjithë sendet e tyre.

Mirela Milori: Kur u ndanë, vajza ku shkoi me fëmijët apo qëndroi aty?

Zotëria X: Ndenji disa kohë aty, të ndarë dhe një ditë më vjen një foto në një kamionçinë. I kishte marrë dhëndri dhe për gjithë natën i kishte sjellë nga Vlora në Elbasan.

Mirela Milori: Ish-dhëndri kishte marrë të gjitha rrobat e vajzës, vajzën dhe fëmijët dhe i kishte sjellë në Elbasan në shtëpinë tuaj?

Zotëria X: Jo te shtëpia. I kishte lënë në mes të rrugës./tvklan.al

“Kush ia ka dhënë të drejtën prindërore kësaj?” Babai rrëfen historinë e së bijës

Zotëria X që ka ardhur të rrëfejë historinë e vajzës së tij në emisionin “Historia Ime” në “Tv Klan” shprehet tejet i shqetësuar për gjendjen e saj. Vajza ka kaluar në gjendje depresive pas lindjes së fëmijës së dytë dhe nuk është në gjendje të kujdeset për fëmijët. Ish-bashkëshorti i ka siguruar fëmijëve një banesë dhe i paguan qiranë e shpenzimet, si edhe një pension mujor, por vajza nuk kujdeset aspak për ta duke lënë mënjanë detyrat e saj si nënë.

Zotëria vijon me historinë, duke thënë se ajo nuk pranon të takojë askënd e as të marrë ndihmë profesionale për të dalë nga kjo gjendje. Ai vetë e gjen veten të pafuqishëm për ta ndihmuar të mjekohet.

Mirela Milori: Vajza nuk punon, por qiranë e paguan ai?

Zotëria X: Ai po i mbulon të gjitha shpenzimet. Jo se nuk punon, por nuk është në gjendje t’i mbajë.

Mirela Milori: Pse nuk është në gjendje t’i mbajë?

Zotëria X: Nuk gatuan, nuk del, nuk zbret. Është ajo që them unë, ajo është e sëmurë.

Mirela Milori: E keni vizituar?

Zotëria X: Ç’vizitë? Nuk vjen.

Mirela Milori: Po në psikologë e keni çuar?

Zotëria X: Si jo, madje i kam çuar edhe gazetarë, nuk pranon të takojë askënd.

Mirela Milori: Ndoshta me gazetarë trembet, por a e keni çuar në psikologë?

Zotëria X: Nuk fut askënd, shkova edhe te “Motrat e Nënë Terezës”, por kujtoi se do t’i merrnin fëmijët. Më pas, ato gra më telefonuan dhe më thanë “Kush ka qenë ai që i ka dhënë të drejtën prindërore kësaj?”/tvklan.al