Mjekët i ngjisin dorën gabim gjatë operacionit, i kërkojnë 5000 Euro për korrigjimin

39-vjeçarja Gjyle Sokoli vjen në emisionin “Historia Ime” në “Tv Klan” për të treguar historinë e saj. Ajo jeton në fshatin Mushnik të Kavajës, së bashku me mamanë, vëllain e nusen e tij dhe dy mbesat, që janë të moshës 16 dhe 14 vjeçe.

 Në vitin 2013 ajo ka pësuar një incident që i ka dëmtuar rëndë krahun e djathtë, pasi një kafshë shtëpie i ka kafshuar dorën duke i këputur të gjithë tendinat.

Mjekët ia kanë ngjitur dorën gabim dhe kur i është nevojitur një ndërhyrje e dytë për të kryer korrigjimin, i kanë kërkuar një shumë prej 5000 Eurosh, por sërish dora e saj nuk është funksionale duke e lënë invalide.

Përveç dëmtimit në krah, ajo pati dëmtime të tjera në kokë, theu hundën si edhe dëme psikologjike. Aktualisht, Gjylja nuk merr as KEMP dhe as ndihmë sociale, nuk ka mundur të kryejë as fizioterapi dhe nuk jeton dot një jetë normale për shkak të pamundësisë fizike e cila nuk e lejon të punojë.

Mirela Milori: Të ka ndodhur një incident, në çfarë moshe?

Gjyle Sokoli: Kam qenë gati 32-33 vjeçe, ose më para, 30.

Mirela Milori: Ke qenë rreth 30 vjeçe, duke u marrë me punë bujqësie dhe çfarë ndodhi?

Gjyle Sokoli: Gomari më kafshoi dorën. Ishte ngatërruar litari i gomarit me lopën, duke e zgjidhur, më kafshoi dorën.

Mirela Milori: Dhe çfarë ndodhi?

Gjyle Sokoli: Nga kjo gjë unë pësova një dëmtim shumë të rëndë, shkova në Kavajë, m’i bënë një qepje dorës dhe më thanë hajde të nesërmen. Kur shkova në Rrogozhinë, më futën dorën në allçi dhe më thanë e ke mirë. Shkova pas dy javësh, më la allçinë hapur dhe më tha mund ta kesh mirë.

Mirela Milori: Mjekët çfarë të thanë, çfarë dëmtimi pate?

Gjyle Sokoli: Gjithë tendinat e këputura, për shkak të forcës. Kur shkova të bëja operacion, të gjitha tendinat ishin tharë.

Mirela Milori: Në operacion, të vendosën dorën në allçi, e bënë gabim?

Gjyle Sokoli: Gabim, e ngjitën dorën shtrembër, shpenzuam shumë, më thanë ta bëja sërish.

Mirela Milori: Ti u fute në operacion. Sa kushtoi ky operacion?

Gjyle Sokoli: Operacioni kushtoi 5000 Euro. /tvklan.al

“Mbesa vuan nga epilepsia prej 2 vitesh, këmba i ka kaluar në paralizë”

Në familjen e Gjyles ka një tjetër familjar të sëmurë. Mbesa e madhe e Gjyles, në moshën 2 vjeçe u zgjua papritur e trembur nga gjumi dhe nga ai moment nuk foli më. Ky problem i saji është i pranishëm edhe sot, ajo fle gjithë kohës, ushqehet me vështirësi, ka një këmbë të paralizuar dhe nuk ecën thuajse fare pasi nuk mban dot ekuilibrin.

Ajo përjeton kriza të shpeshta dhe shpesh bëhet agresive. Diagnoza e fundit e mjekëve për të është epilepsia. Vajza ka përfituar një kemp, i cili shpenzohet për medikamentet e saj të shumta.

Mirela Milori: Më the që mbesa e madhe ishte pa qejf. Pse është e sëmurë?

Gjyle Sokoli: Ajo që prej 2 vjeçe e gjysmë ndiqet rregullisht në Tiranë. U tremb natën, i iku goja, iu pre direkt.

Mirela Milori: Çfarë iu kanë thënë mjekët?

Gjyle Sokoli: Ka kaluar në epilepsi reflektuese.

Mirela Milori: Ti thua që e ndiqni në Tiranë, ka përmirësime gjatë viteve?

Gjyle Sokoli: Mund të ketë, po ç’përmirësim do të ketë atje ku jemi ne. Asaj i është dashur një fizioterapist se i kaloi këmba në paralizë dhe nuk ia bëmë dot.

Jeta në fshat i ka krijuar kësaj familjeje pamundësi të thella ekonomike e psikologjike. Shtëpia e tyre është e rrënuar për shkak të tërmetit dhe jetojnë në skamje të thellë, aq sa edhe buka që iu duhet të blejnë çdo ditë është një kosto rëndese në jetën e tyre.

Ata ndodhen të izoluar në fshat, aq sa nuk kanë as mundësi logjistike për të lëvizur dhe iu duhet të ecin mbi 4 orë për të shkuar në spital për mbesën.

E vetmja kërkesë e Gjyles është gjetja e një mundësie më të mirë për ta, qoftë shërimi i krahut, një punë apo një transferim pasi në fshatin Mushnik nuk kanë asnjë lloj shprese. /tvklan.al