Historia ime – Historia e gruas që kërkon divorc dhe atësinë e të birit!



Historia ime – Historia e gruas që kërkon divorc dhe atësinë e të birit!

13:30 19/10/2020

Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një nënë e re e quajtur Entela e cila është braktisur nga bashkëshorti i saj dy muaj pas martesës, në momentin që ajo mbeti shtatzënë. Ata ndodheshin në Itali dhe pasi u kuptua që ishte shtatzënë, i shoqi së bashku me të motrën e tij luftuan që ajo të abortonte fëmijën, por Entela nuk pranoi. Mbas 1 muaji, Entelës iu desh të kthehej në Shqipëri, për efekt dokumentash, për shkak se i përfundoi leja 3 mujore e qëndrimit.

Mbasi u kthye në Shqipëri, vazhdoi të fliste me të shoqin për dy javë, maximumi 3, ai e  mbylli telefonin dhe preu çdo lloj komunikimi me Entelën. Ai dhe njerëzit e tij shkëputën çdo lloj interesi dhe marrëdhënie me Entelën dhe pse ishte shtatzënë.

Entela, edhe pse shtatzënë, u interesua në Gjykatë dhe mësoi se ai i kishte hapur gjyq për divorc. Në seancën e parë, të vetmen ku ishin të dy të pranishëm, ai bëri kërkesë për ADN-në e djalit. Entela e çoi djalin për t’i bërë analizën por ai nuk u paraqit  më. Gjyqi i divorcit nuk është mbyllur ende, ka edhe një seancë.

Është shtyrë për arsye të ndryshme, arsyeja e fundit e shtyrjes ishte sepse psikologia e Gjykatës i kërkonte 500 mijë lek të vjetra Entelës, lekë të cilat Entela nuk i kishte. Entela, jeton tek e ëma dhe vëllezërit e saj. Më parë punonte si shitëse, por e ka lënë punën pasi i duhet të çojë djalin në kopsht, pasi tashmë është 3 vjeç e gjysmë.

Entela për momentin merr një asistencë papunësie prej 130 mijë lekësh të vjetra. Ndërsa për djalin nuk merr asnjë lloj mbështetjeje ekonomike, pasi rezulton ende e martuar në sistem. Ajo kërkon të mbyllë gjyqin e divorcit që të mund të vazhdojë jetën e saj, pasi është shumë e re.




Të ngjashme