E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë një nënë e quajtur Lindita Gjergji, 56 vjeç që jeton në fshatin Radë të Maminasit. Është e martuar, me tre fëmijë, përkatësisht dy vajza dhe një djalë të tre të rritur. Vajza e madhe është martuar dhe jeton në Itali. Dy fëmijët e tjerë janë pikërisht problemi i saj më i madh. Djali është 36 vjeç dhe vajza 31 vjeç, janë të dy të sëmurë prej vitesh. Fëmijërinë e tyre e kanë pasur shumë të mirë, normale, pa probleme.

Kur vajza ishte rreth 15 vjeç kaloi në depresion duke u përkeqësuar vazhdimisht dhe me kalimin e kohës u diagnostikua me sëmundjen e skizofrenisë. Sjelljet e saj në shumicën e kohës kanë qenë agresive. Dëgjon zëra që nuk ekzistojnë në të vërtetë dhe i duket se të tjerët e shajnë ose e tallin. Ka 16 vite me këtë sëmundje.

Një vit pas sëmundjes së vajzës, u sëmur dhe djali i Linditës. Atëherë, djali ishte 21 vjeç përafërsisht. Edhe ai ka pak a shumë sëmundjen e të motrës, por në ndryshim nga ajo ai nuk është agresiv. Por kur e humb kontrollin, ai del në rrugë dhe ju flet njerëzve kot.

Trajtohen me ilaçe, të cilat i mbajnë nën kontroll, për blerjen e të cilave i ndihmon vajza nga Italia, pasi nuk ia dalin dot, edhe pse të dy marrin nga një Kemp prej 100 mijë lekësh të vjetra.

Lindita ka kaluar një jetë të vështirë. Me një bashkëshort shumë xheloz, i cili nuk e linte të punonte, me vështirësi Lindita ka mundur të punojë në bujqësinë e fshatit ku jeton. Ndërkohë, i shoqi nuk ka punuar asnjëherë. Së fundmi, Lindita është diagnostikuar me tumor, për të cilin ka kryer ndërhyrje dhe po vazhdon të ndjekë kimioterapinë, ku ka probleme të mëdha ekonomike.

Jo më larg se dje ka ndjekur terapinë e radhës në kimioterapi. Lindita ka ardhur në program për të rrëfyer historinë e jetës së saj dhe të kërkojë ndihmë për t’u siguruar terapi psikologjike për dy fëmijët e saj të sëmurë në mënyrë që ata të përmirësohen edhe më shumë.