Trajtohet me rrogë speciale nga Bashkia e Vlorës

Ditë më parë në studion e emisionit “Historia ime “, kampioni i boksit për peshën 52 kg, tronditi opinonin publik me historinë e jetës së tij. Klevis Çelaj, djali vlonjat, jeton në kushte ekstreme varferie.

Por pavarësisht kësaj, edhe pse stërvitej në mënyrë autodidakte, ai arriti të merrte titullin kampion. Shpërblimi që Çelaj mori ishte vetëm 140 mijë lekë të vjetra.

Rrëfimi i tij preku shumë artistë shqiptarë, qytetarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët reaguan në mbështetje të tij. Ata shprehën keqardhje për realitetin shqiptar dhe ftohtësinë institucionale kundrejt të rinjve të talentuar në vend.

I ftuar në studio për të folur për rastin e Klevis Çelaj ka qenë edhe Gent Zenelaj.

Është shumë  e trishtë sepse shikon një njeri, i cili përpiqet jo të arrijë rezultate, përpiqet të mbijetojë. Dhe kur njeriu përpiqet të mbijetojë, arsyeja dhe logjika humbet. Dhe është fat i madh që Klevisi është një djalë kaq i mirë, i cili për shkak të varfërisë, pa asnjë lloj problemi mund të shkojë dhe në botën e krimit. Pra mund të futet dhe në botën e errët të krimit, sepse në fund të fundit njeriu do mbijetojë. Shteti shqiptar duhe të fillojë të kujdeset për njerëzit që e çojnë Shqipërinë një hap më lart”.

Në një lidhje telefonike, drejtori i Departamentit të Sportit në Vlorë,Viron Toska u shpreh:

Viron Toska: Bashkia e Vlorës ka marrë të gjitha masat, që në të ardhmen Klevisi me porosi të kryetarit të Bashkisë, zotit Dritan Leli do të jetë pjesë e Flamurtarit. Sepse deri tani nuk ka qenë, ka qenë pjesë e Vllaznisë së Shkodrës. Duke u futur në buxhetin e ri do të jetë pjesë e Flamurtarit dhe do të marrë një pagë maksimale si të gjithë kampionët që janë në klub.

Mirela Milori: Sa është paga mujore? Sa do marrë Klevisi nga Flamurtari dhe Bashkia?

Viron Toska: Është me vendim të këshillit të ministrave, është me VKM dhe varion nga 1 deri në 62 mijë e 500. Por, kjo do vendoset kur të dalë buxheti i ri. Pra, brenda kësaj shume me porosi të kryetarit të Bashkisë, Klevisi besoj do trajtohet maksimalisht, njëlloj si gjithë kampionët e tjerë të Flamurtarit.

Mirela Milori: Sa ishte ai maksimumi që t’ia themi Klevisit ne?

Viron Toska: Me vendim të këshillit të ministrave është 62 mijë e 500.

Mirela Milori: 62 mijë? Pra 600 mijë lekë të vjetra?

Viron Toska: Po, në muaj!

Pas kësaj telefonate, Klevisi ishte shumë i emocionuar dhe u shpreh se lekët e para që do të marrë, do t’i përdori për të rregulluar shtëpinë e tij. /tvklan.al