“Jam me fat që kam lindur e verbër dhe nuk e kam të fituar”. Kështu e nis rrëfimin tek emisioni “Historia ime” në Tv Klan, 28-vjeçaria Doljana Velia forca e së cilës të mahnit. Ajo ka lindur në një fshat në Mallakastër dhe në moshën 5 vjeç ka shkuar të jetojë në Vlorë. Me një natyrë energjike dhe plot optimizëm ajo ka mposhtur pamundësinë e te parit duke fuqizuar çdo shqise tjetër. Doljana rrëfen se i njeh njerëzit nëpërmjet emocioneve. Nëna e saj ka qenë njeriu që i ka dhëne forcën më të madhe për t’ja dalë.

Doljana ka përfunduar dy fakultete, Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim dhe Psikologji. Doljana rrëfen se ka kaluar një fëmijëri të bukur në Vlore. Në moshën 17-vjeçare ajo erdhi ne Tirane. Filloi Liceun Artistik dhe aty ruan kujtime shumë të bukura. Ajo është aktivizuar që në moshën 17-vjeçare si vullnetare në organizata për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Aktualisht bën seanca këshillimi psikologjike online.