Në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan nga Mirela Milori vjen historia e dy binjakëve nga qyteti i Fierit, Javer dhe Gazmend Haxhit, 44 vjeç, të cilët kanë një lidhje tejet të veçantë me njëri-tjetrin.

Në studio vjen binjaku më i vogël, Gazmendi, i cili edhe nis rrëfimin për marrëdhënien e tyre. Të lindur me 5 minuta diferencë, kanë patur një lidhje që ai e cilëson si “shokë, e më pas vëllezër”. Janë shkolluar në të njëjtën shkollë, visheshin njësoj dhe shpesh i ngatërronin me njëri-tjetrin për shkak të ngjashmërisë së madhe.

Rreth moshës 18-19 vjeçare emigruan për në Greqi, ku jetuan për njëfarë kohe së bashku derisa Javeri u martua e më pas edhe Gazmendi, e kështu krijuan familjet e tyre. Pas krizës ekonomike në Greqi, u kthyen në Shqipëri. Javeri nisi një biznes të vogël me bizhuteri që ia ndërpreu sëmundja e mëlçisë. 15 vjet më parë, të dy u sëmurën nga hepatiti B në Greqi dhe u kuruan në shtetin fqinj duke vazhduar një jetë normale.

Para 3 vitesh, Javerit i rishfaqet sëmundja e mëlçisë dhe vendos të largohet sërish në Greqi me shpresën për t’u kuruar atje. Kjo solli një lloj distancimi ndërmjet tyre për shkak të sëmundjes dhe rrethanave. Gazmendi tregon se ndihet i pafuqishëm për të ndihmuar binjakun e tij sepse i kanë mbetur vetëm 3 muaj jetë në rast se nuk kryhet transplanti. I vetmi shtet ku mund të kryhet ky operacion është Turqia.

Mirela Milori: Në çfarë moshe sëmuret vëllai dhe çfarë ndodhi?

Gazmend Haxhi: Para 15 vjetëve, pati një problem me hepatitin B, në Greqi, edhe unë, morëm kurime dhe e kaluam të dy. Gjatë asaj kohe nuk pamë ndonjë ndryshim te mëlçia, puna vazhdoi si zakonisht, në rregull, nuk pati ndonjë problem. Iu shfaq papritur këtu në Shqipëri.

Mirela Milori: Çfarë konkretisht?

Gazmend Haxhi: I doli një shenjë si gjëndër në pjesën e nofullës që i dha një paralajmërim se mëlçia nuk funksiononte. Iku në Greqi, u takuam bashkë në Sarandë, më tha “do iki se jam keq me shëndetin”.

Mirela Milori: Kur? Para sa kohësh?

Gazmend Haxhi: Para 3 vjetësh. “Mua s’më duhen më lekët tani, por më duhet shëndeti”, i thashë “ik, shiko vetëm shëndetin”. Atë kohë u ndjeva i vetmuar se si vëllai nuk të bëhet asnjë. U ktheva në familje i prekur, nuk dija ç’ndihmë t’i jepja, isha larg, nuk kisha mundësi. Nga ana financiare i shkrimë çdo gjë që kishim. Tani mundësia e fundit është këtu.

Mirela Milori: Në Greqi çfarë i thanë? Për çfarë ka nevojë vëllai?

Gazmend Haxhi: Tani është në spital, i shtruar. Pati hemorragji nga stomaku. Mjeku që takuam tani, i tha që ka edhe 3 muaj jetë dhe duhet të bëjë transplant të mëlçisë.

Mirela Milori: Ne në fakt nuk kemi dëgjuar transplant të mëlçisë, vetëm për veshkën. A është i mundur?

Gazmend Haxhi: Është i mundur vetëm jashtë shtetit, në Turqi.

Mirela Milori: Domethënë në Greqi nuk e merrnin dot përsipër?

Gazmend Haxhi: Nuk bëhet.

Mirela Milori: Në Shqipëri?

Gazmend Haxhi: Nuk bëhet.

Mirela Milori: Keni kontaktuar, vetëm në Turqi është e mundur?

Gazmend Haxhi: Vetëm në Turqi na kanë thënë që mund të bëhet.

Mirela Milori: Po çfarë kostosh ka dhe kush mundet të dhurojë mëlçinë? Si bëhet? Mëlçia nuk hyn te organet që dhurohen, pra vetëm me njerëz që nuk jetojnë më.

Gazmend Haxhi: Po. Vetëm me aksidentet mund të ndodhë diçka e tillë.

Mirela Milori: Pra duhet të vendoset në listën e pritjes.

Gazmend Haxhi: Po.

Mirela Milori: Por ndërkohë mjekët i kanë thënë që…

Gazmend Haxhi: Ka vetëm 3 muaj jetë, me këtë ecuri e gjendje që është tani./tvklan.al

Aktualisht, Javeri ndodhet në listën e pritjes në një spital në Greqi, për të cilën nuk dihen detaje më transparente e as për operacionin në Turqi nuk janë bërë të qarta procedurat, por mësohet se nevojiten rreth 60 mijë euro. /tvklan.al