Historia u trajtua sot në emisionin “Historia ime” ka qenë ajo e dy vëllezërve të cilët në moshë shumë të vogël u diagnostikuan me një sëmundje e cila i la përfundimisht invalid. Një sëmundje që i ndryshoi jetën gjithë familjes. 10 muaj më parë ata kanë humbur një nga njerëzit më të shtrenjtë, babain, idhullin e tyre.

Në studio ka ardhur Sejdini, djali i vogël i familjes 34 vjeç. Por ai që i ka shkruar redaksisë së emisionit është Miklovani i cili nuk mundi dot ta shoqëroj të vëllain pasi gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.

Sejdini ka rrëfyer se sëmundja që të dy kanë quhet Distrofik Muskulare Progresiv dhe simptomat e para i ka parë kur ishte rreth moshës 7 vjeç. Sëmundja filloi t’i deformonte ecjen, më pas trupin derisa përfunduan në karrocë. Miklovani përfundoi në karrocë në moshën 12 vjeç ndërsa Sejdini kur ishte 14 vjeç dhe që prej asaj kohe nuk kanë ecur më në këmbë.

Në ’90-ën i ati çoi Miklovanin në Selanik, ku e vizitoi tek një mjek amerikan, por analizat që bënë vërtetuan se ata nuk mund të gjejnë shërim apo kurim. Pavarësisht kësaj fatkeqësie të madhe që ata po jetojnë me vite, vëllezërit nuk e humbin buzëqeshjen, ata janë një shoqëri shumë e mirë për njëri-tjetrin dhe duhen shumë. Sejdini tregon se nuk kanë shokë sepse të gjithë kanë ikur në emigrim dhe përditshmëria e tyre është duke qëndruar në shtëpi.