Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan ka qenë Xhumaje Ceka, 70 vjeç, nga fshati Xibër i Burrelit. Kur ishte 16 vjeçe u martua me dikë nga Klosi i Burrelit, i cili më vonë u bë babai i vajzës së saj. Nuk u martua me shkuesi, as me dashuri, por ish-bashkëshorti u soll në të tillë mënyrë që e bindi të martoheshin. Qëndruan 10 vite të martuar me bashkëshortin.

Në 6 vitet e para të martesës pati probleme me fëmijët që sillte në jetë, pati dështime dhe dy vajza i vdiqën pasi i lindi. Në vitin 1972 u bë nënë e vajzës së vetme që ka, e cila sot ka krijuar familjen e saj dhe jeton po në Xibër. Xhumaja nuk punonte, bënte vetëm punë shtëpie dhe punë kooperative. Ai ishte person problematik dhe shumë fanatik. Kur vajza e tyre ishte vetëm 1 vit e gjysëm, ish-bashkëshorti u dënua me 3 vite burg, për motive ordinere, të tipit për vjedhje dhe armë mbajtje pa leje.