Bardhok Pllanaj 44 vjeç tronditi politikën katër vite më parë, kur u fsheh në makinën e ish-deputetit Mark Frroku gjatë kohës që ka qenë në kërkim, si person i dyshuar si organizator i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Në vitin 2015, ABC News publikoi dokumente që vërtetojnë se ish-deputeti Mark Frroku strehoi në makinë Bardhok Pllanajn. Ai ishte shpallur person në kërkim pak kohë pas aksionit të njohur si “Operacioni i Vilunit” në zonën e Shkodrës. Pllanaj i ka shpëtuar arrestit të policisë mesnatën e datave 1 dhe 2 Tetor 2014, pasi rezultoi i fshehur në makinën e ish-deputetit Mark Frroku.

Në këtë procesverbal të ABC News, duket qartë se grupi i operacioneve speciale në Policinë e Shtetit, me autorizim të Prokurorisë për Krime të Rënda, po vëzhgonte prej kohësh të dyshuarin Pllanaj. Sipas raportit të dorëzuar nga agjentët e vëzhgimit, thuhet se Pllanaj gjatë gjithë ditës së 1 Tetorit 2014 ishte nën vëzhgim, ku përshkruhen me detaje lëvizjet e tij, makinat që ka ndërruar si dhe lokalet që ka frekuentuar.

Vetëm në darkë, referuar këtij procesverbali, i dyshuari është afruar në lokalin ‘Antika’ tek Shallvaret me makinën e deputetit Mark Frroku. Rreth orës 1 pas mesanate të datës 2 Tetor, makina e deputeti Frroku është nisur në drejtim të Laprakës, ku policia, nga frika e largimit të personit të shpallur në kërkim, organizoi një postbllok në Kamëz, pranë Bulavardit Blu. Në momentin që makina afrohet, policia e ndalon atë, por nuk mundet të hapë dyert që ishin të bllokuara nga brenda.

Nga ana e policisë i është bërë e ditur deputetit Frroku se personi që ndodhet në makinë duhet të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë, por pas kundërshtisë së deputetit Frroku, agjentët e vëzhgimit kanë komunikuar me specialistin e sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pemën duke e vënë në dijeni për kundërshtimin e deputetit Frroku. I gjithë ky debat ka zgjatur për më shumë se 20 minuta dhe më pas agjentët janë larguar duke lënën të lirë Bardhok Pllanajn.

Ndërkohë,

tvklan.al

ka mësuar se Bardhok Pllanaj është hequr si person në kërkim në vitin 2016.

Bardhok Pllanaj u arrestua sot në Shkodër për veprat penale pastrim parash, falsifikim të dokumenteve dhe ndërtim pa leje. Sipas Policisë së Shkodrës, Bardhok Pllanaj kishte filluar ndërtimin e një objekti 10-katësh pa u pajisur me dokumentet përkatëse. Objekti i ndërtimit kap vlerën e 2 milionë Eurove dhe dyshohet se është financuar nga të ardhura të trafikut të drogës. Për këtë arsye, godina 10-katëshe është sekuestruar nga autoritetet.

/tvklan.al