Historiani amerikan, Benard Fischer: Si nisa të studioj historinë e Shqipërisë

Historiani amerikan, Benard Fischer: Si nisa të studioj historinë e Shqipërisë

23:40 05/07/2000

Benard Fischer është një prej historianëve dhe studiuesve të njohur amerikanë të historisë së Shqipërisë.

“Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945” dhe “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” janë dy prej librave të tij, të cilët përpiqen të sqarojnë një prej periudhave kontradiktore të historisë së Shqipërisë. Fischer ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

“Ka vite që po merrem me historinë e Shqipërisë. Si fillim ishin njerëzit me të cilët punova në Universitetin e Kalifornisë të cilët më sollën ndër mend një temë të tillë. Ai që unë e quaj mentori imë ka qenë Dimitri Georgevich, një nga historianët më të njohur serbë, i cili më inkurajoi të thelloj interesat e mia për Shqipërinë. Kisha dëgjuar më parë për Shqipërinë, por ishin vetëm kurset ato që më bënë mua të interesohem për të. Kam vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 1988. Unë jam amerikan, por kam pasaportë kanadeze me të cilën mund të udhëtoj dhe në Shqipëri erdha me një grup anglezësh. Nuk bëra të ditur që po punoja me një temë që kishte të bënte me Shqipërinë. Pata një mori përshtypjesh, më mahniti natyra e vendit dhe sidomos mikpritja e njerëzve. Më bëri përshtypje niveli i shtypjes që pashë këtu në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit që kisha vizituar më parë. Unë kam studiuar shumë arkiva, ato të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë, Italisë, SHBA, Austrisë dhe një pjesë e arkivave ndodhen në Britaninë e Madhe. Ka një mori të madhe dokumentesh që ndodhen në arkivat e Uashington. Duhet një kohë e gjatë për ti parë. Librin që kam bërë do ta ofroja si kontributin tim për gjithë debatin që bëhet për Shqipërinë dhe për Luftën e Dytë Botërore”, tha Fischer. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT