“Liria e fjalës nuk nënkupton të thuash gjithçka”

Britaniku Timothy Garton Ash është një nga historianët, shkrimtarët dhe gazetarët bashkëkohorë njohës shumë i mirë i Europës Lindore përfshirë dhe Shqipërinë dhe Kosovën për të cilat ka shumë shkrime ishte i ftuari i radhës në podcastin e Edi Ramës me të cilin bashkëbiseduan për të gjithë rrugëtimin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore e Mbretërisë së Bashkuar në veçanti.

Garton Ash, edhe pse pranon se është mik i ish-kryeministrit britanik Toni Blair nuk e ka kompleks që ta shigjetojë atë si përgjegjës për atë që po përjeton Mbretëria e Bashkuar me emigracion në veçanti, çka çoi në vendimin që morën pasardhësit e tij për të dalë nga BE. Qëndrim që u kundërshtua nga Rama që rreshtohet hapur si një mbrojtës fanatik i çdo vendimmarrje të Toni Blair-it.

Timothy Garton Ash: Mendoj që një nga gabimet që bëri Toni Blair, të cilin e admiroj për shumë gjëra –ishte të besonte se ishte e mundur që të kishte vetëm hapje, hapje, hapje; hapje të shoqërisë, hapje të financave, hapje të ekonomisë, hapje të emigracionit pa pasur asnjë reagim! Dhe slogani i përkrahësve të Brexit-it, që iu dha fitoren –ishte “Rimerr kontrollin” mendoj se ky ishte një gabim i viteve të Blair-it, që e paguam shtrenjtë.

Edi Rama: Më duhet t’ju informoj që jam shumë i hapur, por mbetem fanatik për disa gjëra dhe një prej tyre është: “Mos e prek Tony Blair-in në praninë time”. Thjesht, mos e prek.

Timothy Garton Ash: Shiko, unë e kam mik Tony Blair-in. Ai është i rritur mjaftueshëm, për të pranuar gabimet e tij.

Edi Rama: Jo, nuk po flas në emër të tij. Ai mund të flasë vetë për veten e të merret me gabimet e tij. Por unë jam një fanatik i tij, kështu që mos e prek Tony Blair-in.

Një tjetër çështje që Rama ka më shumë qejf për ta diskutuar është: deri ku janë kufijtë e lirisë së fjalës. Si ish-publicist dhe tanimë një pushtetar Rama mendon se ka një abuzim të lirisë së fjalës që po deformohet gjithnjë dhe më shumë nga mediat sociale. Çka gjen dakordësinë e gazetarit britanik.

Timothy Garton Ash: Liri fjale nuk do të thotë që kushdo mund të thotë çdo gjë kudo dhe në çfarëdo konteksti.

Rama sjell eksperiencën personale për të treguar sa rëndësi ka për mediat prestigjioze ndërkombëtare të citojnë me korrektësi atë që ti thua apo dhe të bëj kontroll rigoroz të fakteve.

Edi Rama: Përvoja që pata me botën e fjalës së lirë ishte me revistën, “The Neë Yorker”, kur Jane Kramer erdhi për të shkruar një portret timin. Në një pikë të artikullit, kur kisha folur me të, isha shprehur se kur kisha takuar dikë, ajo ishte e veshur me të kuqe. Ata i kishin çuar e-mail personit në fjalë: “A jeni dakord me citimin, që ishit veshur me të kuqe. I shkrova Jane-it dhe i them: “Jane, ky nuk është kontroll faktesh, kjo është KGB”. Përgjigjja e saj ishte: “Hahaha, duhet të ketë ndonjë arsye pse ‘The New Yorker’ nuk ka humbur kurrë një çështje në gjykatë”. Tani, ndjesë, po të kalosh nga kjo te një kazan ku ziejnë dokrra gjithfarësoj, gjithfarëlloj mendimesh të neveritshme, pa filtër, që nuk janë as mendime, po thjesht të vjella që i nxjerrin nga barku te publiku… janë dy civilizime kryekëput ndryshe.

Garton Ash ishte në Tiranë këtë javë për të marrë pjesë në promovimin e librit të tij më të fundit vendet e mia, një histori personale e Europës që sapo është përkthyer në shqip.

Tv Klan