Me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, në një votim historik duke u bërë shqiptari i parë që do të drejtojë qeverinë në vendin fqinj.

Qeveria e tij ka një mandat prej 100 ditësh dhe detyra kryesore është përgatitja e zgjedhjeve të 8 majit.

“Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë Qeveri një ditë apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje”, tha ai.

Megjithatë Xhaferi tha se nuk do të mbeten jashtë vëmendjes as fushat e tjera.

“Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian… Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet”, theksoi ai.

Deputetët e opozitës maqedonase të VMRO-DPMNE, edhe pse ishin prezentë në sallë nuk morën pjesë në votim ndërsa partitë shqiptare të opozitës e bojkotuan seancën. Një mesazh pati për ta kreu i BDI-së, Ali Ahmeti që tha se partia e tij ka parë gjithmonë nga Perëndimi.

Talat Xhaferi ka mbajtur më herët postin e kryetarit të Kuvendit. Shqiptarët në qeverinë e tij nuk do të kenë vetëm kryeministrin, por edhe 8 ministra e zëvendësministra.

Tv Klan