Vendi ynë merr mbështetjen e 175 anëtarëve

Pas 65 vitesh anëtarësim, ky shënon një nga momentet më të rëndësishme të përfaqësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Për herë të parë, vendi ynë do të ulet në tryezën e Këshillit të Sigurimit të kësaj organizate me një mandat 2 vjeçar për vitet 2022 dhe 2023. Në një votim të kryer këtë të premte nga 190 vende që morën pjesë në votim, 175 prej tyre kanë hedhur votën pro Shqipërisë si kandidaturë konsensuale e grupit të vendeve të Europës Lindore.

Pas marrjes së vendimit ka reaguar menjëherë Kryeministri Edi Rama, që duke publikuar rezultatin thotë se është një lajm i bukur që vendi ynë u zgjodh anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB. Ndërsa Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka thotë për Televizionin Klan se ky është një moment i rëndësishëm që edhe një vend i vogël si Shqipëria të ketë një vend në tryezën e marrjes së vendimeve.

“Patjetër që vendet e vogla zakonisht janë dëshmitare të historisë pa pasur mundësinë ta influencojnë. Ky është momenti ynë për ta influencuar në tryezën më të rëndësishme vendimmarrëse globale, për të sjellë shembujt më të mirë të zgjidhjes të problemeve globale, edhe nga Shqipëria, apo nga rajoni jonë”.

Xhaçka thotë se përveç prestigjit, kjo detyrë do të ketë edhe më shumë përgjegjësi për Shqipërinë.

“Nuk është thjeshtë çështje prestigji, patjetër që kjo është dëshmi e pjekurisë të shërbimit tonë diplomatik, të një pune të jashtëzakonshme përgjatë këtyre viteve për të lobuar këtë mundësi. Është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë në dy vitet e ardhshme.”

Këshilli i Sigurimit në OKB është ndër organet më të rëndësishme të saj, që ka për detyrë mbarëvajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. Për t’u ulur në karrigen e Këshillit të Sigurimit diplomacisë shqiptare i janë dashur 10 vite lobim. Shqipëria ka prezantuar edhe një sërë prioritetesh me marrjen e kësaj detyre.

Tv Klan