Historike, shqiptarët e RMV me kryeministër për herë të parë

Historike, shqiptarët e RMV me kryeministër për herë të parë

16:36 18/08/2020

Zaev-Ahmeti: Do të drejtojë 100 ditët e fundit të mandatit

Marrëveshje historike është për shqiptarët e Maqedonisë së veriut ajo që arritën këtë të martë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për të bashkëqeverisur për 4 vitet e ardhshme.

Për herë të parë në historinë e këtij vendi, shqiptarët do të kenë një kryeministër nga radhët e tyre edhe pse ai do të drejtojë qeverinë 100 ditët e fundit të mandatit.

Dakordësia erdhi si rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme, ku shqiptarët arritën gjithashtu një rezultat historik me 33 deputetë. E majta e Zaev, edhe pse arriti të dalë parti e parë, nuk siguroi dot mandatet e duhura për të qeverisur e vetme.

Ndërsa partia e Ali Ahmetit pati si pjesë të fushatës kërkesën për një kryeministër shqiptar. Shqiptarët do kenë sërish kryetarin e Kuvendit, post që do të vijojë të mbahet nga Talat Xhaferri edhe për një mandat, ndërsa BDI do të marrë edhe postin e zv/kryeministrit.

“Qeveria teknike do të shfuqizohet dhe në 10 ditët e fundit, partnerët e koalicionit, në propozim të BDI-së, do të vendoset Kryeministri i cili do ta udhëheqë qeverinë në 100 ditët e fundit të mandatit të rregullt. Ne u dakorduam që kryetar i ardhshëm i Kuvendit të jetë zoti Talat Xhaferi”.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e falënderoi Zaevin për këtë hap të guximshëm.

“Duhet përshëndetur edhe guximi i zotit Zaev, që për herë të parë në këtë vend 100 ditë do të jetë kryeministër një shqiptar i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim”.

Të dy kryetarët e partive nuk e zbuluan pjesën tjetër të marrëveshjes, që ka të bëjë me ndarjen e posteve, ku BDI do të drejtojë edhe disa ministri. Ata kërkuan që të bëhet durim derisa të kryhen konsultimet me strukturat e partive të tyre. Të dyja partitë i kanë caktuar mbledhjet e kryesive dhe marrëveshja finale me ndarjen e posteve pritet të shpallet brenda dy ditëve.

Tv Klan





Të ngjashme