Ndonëse ende jozyrtarisht, rezultati historik në Tuz me shumë gjasë do t’i japë partive shqiptare shumicën në këshillin komunal. Me 16 anëtarë të këshillit me 32 përfaqësues, koalicioni “Malësia na bashkon”, me kandidat të propozuar Nik Gjeloshajn, siguroi 50% në zgjedhjet e së dielës.

Por nevojitet edhe anëtari i 17-të për të siguruar vendimarrjen në komunën e Tuzit. Shumicën koalicionit shqiptar pritet t’ua japë një tjetër parti shqiptare, Demokratët e Malit të Zi. Kryetari i saj Shtjefën Camaj, uroi shqiptarët për fitoren dhe la të hapur mundësinë e bashkimit me koalicionin “Malësia na bashkon”.

“Pas një terrori politik të disa dekadave nga DPS, më në fund arritëm që së bashku me qytetarët e Malësisë dhe subjektet politike të kësaj treve, DPS-në ta çojmë në opozitë. Ky është fillimi i rrokullisjes së DPS. Është rast historik dhe era është në favor të partive opozitare dhe gjithë zgjedhësve opozitarë. Është i njohur qëndrimi ynë që me DPS-në nuk do hyjmë në asnjë lloj kombinimi, as para e as pas zgjedhjeve, kjo është fjala që për ne ka fuqinë e ligjit. Ndërsa për modalitetet tjera do flasim në kohën e duhur, pasi organet e Demokratëve të analizojnë në përgjithësi rezultatin e zgjedhjeve”.

Pas shpalljes së rezultatit paraprat, shqiptarët pushtuan rrugët e Tuzit me flamujt kuqezi. Kryetarët e partive të koalicionit falenderuan elektoratin shqiptar për pjesëmarrjen e gjerë në zgjedhje. Në mbështetje të “Malësisë” erdhën për të votuar edhe shumë shqiptarë nga diaspora.

Pas 62 vitesh, u vendos që në Shtatorin e 2018-ës Tuzi të jetë njësi administrative lokale më vete, e pavarur nga Podgorica. Ky vendim është cilësuar si fitorja e parë e banorëve shqiptarë që përbëjnë 70% të popullsisë dhe që e kërkonin këtë prej 3 dekadash.

Tv Klan