Opinion-Në vitin 1997, në Shqipëri nisën të ndodhin ndryshime në politikën shqiptare. Opozita e majtë përfshi edhe atë ish-komuniste kishte ardhur në pushtet me në krye Fatos Nanon dhe President Rexhep Mejdanin.

Në serinë e dytë të emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më datë 07.06.2007 trajtohen marrëdhëniet e vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke filluar nga 1997 e deri në vitin 2007.

Pas krizës së thellë të 1997, marrëdhëniet Shqipëri-SHBA njohën pikën e fundit të partneritetit.

Gjatë vitit 1998 ka patur vetëm një takim të rastësishëm mes Presidentit Mejdani dhe Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, por marrëdhëniet vijonin të ishin konstante. Në Shtator të 1998 ndodh një problem i dytë mes dy vendeve që do të krijonte një hije në kontaktet mes dy vendeve. SHBA fillon të reduktojë ndjeshëm personelin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, pas një kërcënimi terrorist ndaj ambasadës.

Në fund të vitit 1998, marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në një nivel të ulët, por njëkohësisht dy vendet kishin një shqetësim të përbashkët, situata në Kosovë, e cila u kthye në qendër të vëmendjes botërore. Në fillim të Janarit të 1999, SHBA angazhohet seriozisht dhe tentoi të ulë përfaqësuesit politikë të Kosovës për një tryezë të përbashkët. Tentativat për të gjetur një zgjidhje përkojnë me vizitën e parë që do të hapte siparin e vizitave shqiptaro-amerikane. 31-vjeçari Pandeli Majko, i cili ishte zgjedhur kryeministër i Shqipërisë viziton Uashingtonin dhe zhvillon një takim me Madeleine Albright, kryefjala e të cilit ishte Kosova.

“Ftesën e mora nëpërmjetë linjave diplomatike. Por nuk mendoja se takimi do të ishte i një karakteri të hapur. Kujtoj që përveç takimit me Clintonin takova edhe 5 sekretarë të Shteti. Clinton po bënte edhe një testim të situatës në rajon, sepse dikutohej prirja se sa mund t’i mbanin këmbët Shqipërisë në një situatë të rënduar në rajon. Diskutohej çështja më e rëndësishme e Ballkanit, çështja e Kosovës. Më pas takova edhe Presidentin Clinton, ishte një takim i shkurtër. Folëm shumë qartazi me njëri-tjetrin, direkt për Kosovën. I kërkova presidentit diçka specifike, largimin e trupave ushtarake nga Kosova. Në momentin që mora një tundje koke shumë kuptimplotë e kuptova që kisha arritur diçka”,tha Majko.

Pas dështimit të parë të Rambujesë, në Shkurt të 1999 dhe pas firmosjes së dytë në Mars të 1999 në Paris nga delegacioni kosovar dhe pas vendimit të Atlantikut për të bombarduar Serbinë, intensiteti i marrëdhënieve amerikano-shqiptare mbetet në nivel të lartë pavarësisht se takime nuk datohen. Në këtë periudhë ndodh edhe një nga takimet që vijon të mbentet një lloj misteri, takimi mes Presidentit të SHBA, Bill Clinton dhe Presidentit shqiptar të asaj kohe Rexhep Mejdani, i cili nuk ka asnjë material filmik që mund ta dëshmojë.

Në fund të verës së vitit 1999, Presidenti i SHBA, Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij mbërritën në Shkup dhe Presidenti dhe kryeministri shqiptar udhëtojnë me helikopter për të takuar Presidentin e SHBA. Në fund të 1999 në krye të qeverisë vjen Ilir Meta, i cili që në rastin e parë takon Presidentin Clinton gjatë samitit të Stambollit. Por cili ishte impresioni që i la Bill Clinton kryeministrit më të ri në historinë e Shqipërisë pas Ahmet Zogut?

“Padyshim Clinton ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Unë ndoshta rrallë kam takuar një njeri kaq të përqëndruar, pavarësisht ngarkesës. Një përshtypje tjetër që më ka lënë ishte edhe aftësia e tij e reflektimit dhe organizimit të samitit”, tha Meta.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së njohin përmirësime. Madeleine Albright në Shkurt të vitit 2000 viziton Shqipërinë, duke rikthyer në vend takimet e nivelit të lartë.

“Unë mund të them me krenari se një nga veprimet e para që kam ndërmarrë si kryeministër edhe pas prezantimit të shqetësimit nga pala amerikane, ka qenë pastrimi i vendit nga elementët terroristë. Vizita e Albright rivendosi klimën entuziaste të marrëdhënieve mes dy vendeve”,tha Meta.

Në Maj të 2001-t Meta viziton Uashingtonin, nga ku takoi edhe Presidentin Bush.

“Takimi me Presidentin Bush është bërë më 2 Maj të vitit 2001, pak muaj pasi ai ishte konfirmuar si President i SHBA. Ne nuk kishim kërkuar takim me Presidentin Bush në fillim. Takimi është kërkuar në fund dhe kemi biseduar me të për 25-30 minuta. Presidenti Bush ishte i përqëndruar në çështjen e Maqedonisë. Ai bëri një formulim të përgjithshëm të situatës në Shqipëri, por interesi i tij ishte i karakterit rajonal”,tha Meta.

Në vitin 2003, marrëdhëniet mes dy shteteve ruanin një nivel normal dhe në vitin 2004 kryeministri i Shqipërisë pati rastin të takohej 3 herë me Presidentin amerikan George W Bush, gjatë 3 samiteve të rëndësishme.

“Takimet me Presidentin Bush më kanë dhënë mundësinë të kuptoj në nivelin më të lartë se sa kuptimplotë është një aleancë strategjike me vendin më të madh dhe demokratik në botë”,tha Nano.

Në Korrik të vitit 2005, Partia Socialiste humb zgjedhjet dhe në pushtet rikthehet Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, një prej partnerëve të Uashingtonit nga viti 1991-96 dhe një prej protagonistëve të acarimit të marrëdhënieve në vitin 1997. Vetëm 3 ditë pasi Sali Berisha kishte ardhur në pushtet udhëton drejt Uashingtonit në sesionin e zakonshëm të OKB dhe takohet për pak sekonda me Presidentin Bush. Në 2007-n, George Bush do të bëhej Presidenti i parë në detyrë që do të vizitonte Shqipërinë. Ishte një vizitë historike e kreut më të madh të globit. Kjo superfuqi kishte ruajtur një status preferencial ndaj Shqipërisë në Ballkan dhe kishte luajtur një rol deciziv për çlirimin e Kosovës./tvklan.al