Opinion-Vizita e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George Bush në Shqipëri u përshkrua si kulmi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më datë 31.05.2007, tregon historikun e raporteve dhe takimet e nivelit të lartë mes përfaqësuesve të dy vendeve, duke filluar nga viti 1990 e deri më 1997.

Shqipëria, vendi i fundit stalinist i botës që kishte refuzuar më shumë se çdo vend tjetër SHBA-të, tentoi zyrtarisht të ndërtojë marrëdhënie diplomatike me SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik. Por çfarë kanalesh përdori Shqipëria komuniste për t’u lidhur me vendin më të fuqishëm kapitalist të kohës?

“Ka qenë viti 1984. Ishte edhe Enver Hoxha gjallë kur erdhi një propozim nga SHBA dhe Anglia që të diskutohej për vendosjen e marrëdhënieve, duke marrë shkas çështjen e floririt shqiptar që ishte bllokuar në bankat angleze pas incidentit të Korfuzit. Që aty filluan bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, zgjidhjes së problemit të floririt dhe gradualisht edhe marrëdhëniet diplomatike. Ky proces zgjati deri në vitin 1990, por zyrtarisht vendosja e marrëdhënieve diplomatike është bërë në fillim të vitit 1991”,tha ish-Presidenti Ramiz Alia.

Në fakt vendosja e marrëdhënieve diplomatike u bë në Mars të 1991, pasi regjimi komunist në Shqipëri kishte rënë dhe vendi kishte pranuar pluralizmin politik. Në Shtator të vitit 1990, Ramiz Alia udhëton për të marrë pjesë për herë të parë në seksionin e Kombeve të Bashkuara dhe arrin t’i japë dorën Presidentit.

“Në atë kohë në Shqipëri ishin marrë disa masa për demokratizimin e vendit, aq sa ishte e mundur në atë kohë. Shkuam në pritjen e Kombeve të Bashkuara dhe Presidenti erdhi dhe na takoi, takoi delegacionin tonë dhe mua personalisht. Unë i thashë se Shqipëria po ecën përpara dhe po përpiqet të futet në rrugën e zhvillimeve demokratike dhe Presidenti Bush më tha se do të kishim mbështetjen e SHBA. Kaq ishte biseda”,tha Alia.

SHBA më pas vendos të zyrtarizojë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë dhe në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes, Ministri i Jashtëm, Muhamet Kapllani do të kishte në sallë edhe përfaqësues të opozitës shqiptare. Marrëdhëniet mes dy vendeve vendosen. SHBA dërgon në Tiranë një të ngarkuar me punë, i cili më pas do të bëhej edhe Ambasadori i parë i SHBA, William Ryerson. Ai do të gjente në Shqipëri një situatë të trazuar, por që do të ndryshonte shpejt.

Në pushtet do të vinte qeveria e stabilitetit, e cila do të kryesohej nga Ylli Bufi, ish-Ministër i Industrisë. Shenja më e madhe e mbështetjes së kësaj qeverie ishte edhe vizita e papritur dhe e bujshme e Sekretarit të Shtetit, James Baker, 10 ditë pas krijimit të qeverisë. Baker u prit në mënyrë të jashtëzakonshme në Tiranë. Mbi 100 mijë persona kishin dalë për të pritur Sekretarin e Shtetit.

Ndryshe nga vizitat e nivelit të lartë që Shqipëria kishte pritur deri në ato vite, James Baker nuk mbërriti në Tiranë për të bërë koncesione ekonomike, ai solli një mesazh të thjeshtë: “liria funksionon”,

një mesazh që për shqiptarët ishte ende abstrakt. Në parlamentin e Shqipërisë, ai deklaroi se kishte ardhur në Tiranë me ftesë të kreut të opozitës së asaj kohe, Sali Berishës.

“Baker dëshmoi një interes të SHBA-ve për proceset demokratike në Shqipëri. Ai, në një akt historik të diplomacisë, i deklaroi shqiptarëve: “Vij këtu me ftesë të Sali Berishës dhe opozitës shqiptare”. “E gjithë fryma e fjalimit të tij ishte liria”,tha Berisha.

Për thuajse një vit, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u kthyen në kulmin e tyre. Në Qershor të 1992, Presidenti Sali Berisha udhëtoi drejt Uashingtonit për të takuar Presidentin Bush. Gjatë vizitës, Presidenti amerikan shprehu mbështetjen e plotë në rrugën që po ndiqte Shqipëria.

Në vitin 1993, ishte hera e parë që vendi ynë vizitohej nga një ish-President, siç ishte ai i SHBA-ve, Jimmy Carter. Një vit pas vizitës së Carter, George Bush mbërrin në Shqipëri dhe për nder të tij u shtrua një pritje në Pallatin e Brigadave. Më 1995, Presidenti Bill Clinton ftoi zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë, Presidentin Berisha. Vizita kryhet në Shtator dhe Clinton po ashtu shprehu mbështetjen amerikane.

Në vitin 1996-1997, SHBA-të kishin filluar të zgjeronin partneritetin e tyre në politikën shqiptare, megjithëse me hezitim në lidhje me opozitën socialiste. Në 1997 u stabilizua situata. Në pushtet erdhi Partia Socialiste dhe Kryeministër u zgjodh Fatos Nano. Në Shtator të 1997, Nano takon Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright.

“Që në shkëmbimin e parë të informacionit u shfaq në mënyrë të qartë këmbëngulja e zonjës Albright për të nxitur vendime kurajoze të qeverisë që unë drejtoja, veçanërisht në aspektin ligjor. Vëmendje të posaçme iu kushtua identifikimit të mundësive për rindërtimin e administratës publike. Dhe sigurisht morëm ide të qarta për nevojën e shoqërimit të këtyre veprimeve që do të jepnin mesazhe të stabilitetit dhe kapërcimit të krizës”,tha Nano./ tvklan.al