72 orë pas nisjes së protestave në kryeqytet, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar duke paralajmëruar se çdo person i përfshirë në akte dhune, zjarrvënie, grabitje apo shkatërrim të pronës publike dhe private do të përballet me ligjin.

Hita theksoi se Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese për protestë paqësore, por nuk do të tolerojë dhunën ndaj institucioneve, qytetarëve dhe punonjësve të policisë.

Kreu i Policisë la të kuptohet se pas akteve të dhunshme nuk qëndrojnë vetëm studentët, por edhe individë të tjerë të rekrutuar për qëllime të caktuara, brenda dhe jashtë vendit. Sipas tij, gjatë natës së parë të protestës, asnjë nga personat e ndaluar nuk rezultoi student, ndërsa natën e dytë numri i studentëve të ndaluar ishte shumë i vogël.

Hita u shprehu mbështetjen punonjësve të policisë që prej 72 orësh ndodhen në terren, duke u kërkuar profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri në ushtrimin e detyrës. Ai garantoi gjithashtu se orët shtesë të shërbimit do të kompensohen sipas ligjit.

Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit nënvizoi se institucioni që drejton është në shërbim të ligjit dhe qytetarëve, ndërsa paralajmëroi se çdo person përgjegjës për dhunën dhe dëmtimin e pronës do të identifikohet dhe do të mbajë përgjegjësi ligjore.

/tvklan.al