Deklarata e Ministrit të Jashtëm rus se lideri nazist Adolf Hitler “kishte gjak hebre” ka shkaktuar një reagim ashpër në Izrael. Sergei Lavrov e bëri deklaratën në fjalë teksa po përpiqej të justifikonte pushtimin e Ukrainës.

I pyetur në një intervistë televizive italiane se si Rusia mund ta portretizojë Ukrainën si një vend nazist kur vetë presidenti i Ukrainës është hebre, Lavrov tha se kjo ishte e parëndësishme.

“Fakti nuk i mohon elementet naziste në Ukrainë. Unë besoj se Hitleri kishte edhe gjak hebre,” tha ai.

Deklaratat e tij i referohen një pretendimi historik të paprovuar, se gjyshi nga babai i Hitlerit mund të ketë qenë hebre. Nën udhëheqjen e Hitlerit, Gjermania naziste vrau 6 milionë hebrenj.

Ministri i Jashtëm i Izraelit e konsideroi deklaratën e Lavrov “të pafalshme dhe të egër… si dhe një gabim të tmerrshëm historik” dhe tha se homologu i tij rus duhet të kërkojë ndjesë./tvklan.al