Gjermania e dyta, kanë 190 ditë me diell në vit
Kur bëhet fjalë për energjinë diellore për frymë, vendi lider i Evropës për një kohë të gjatë, Gjermania, nuk është më i pari në listë. Për të dytin vit radhazi, Holanda renditet e para, duke arritur një prodhim të jashtëzakonshëm prej më shumë se 1000 vat për banor në vitin 2022, 28% më shumë se në vitin 2021.
Fuqia e energjisë diellore mesatare e instaluar në Gjermani u rrit në 816 vat për banor, rritje me 13% në krahasim me 2021.
Danimarka zë vendin e tretë me 675 vat për banor, duke lënë pas Belgjikën, e cila tani qëndron në 663 vat banor në vendin e katërt.
Përveç Luksemburgut, me 629 vat për banor, të gjitha 10 tregjet e tjera më të mira të BE-së për kontrollin e kapaciteteve diellore për frymë janë nën nivelin 600 vatëve për banor.
Fqinji ynë Greqia, renditet në vendin e 7 dhe ka një rritje progresive si për shkak të politikave mbështetëse të qeverisë, duke subvencionuar panelet diellore për familjet, ashtu edhe për klimën e favorshme me afro 300 ditë me diell në vit.
Edhe Shqipëria ka të njëjtën mesatare prej 300 ditësh me diell në vit, çka favorizon rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë brenda një kohe të shkurtër, në rast të instalimit të impianteve fotovoltaike të prodhimit të energjisë.
Ajo që bie në sy është fakti se vendet e veriut të Europës, si Holanda e Gjermania që mbajnë vendin e parë të prodhimit të energjisë diellore për banor, kanë mesatarisht 190 ditë me diell në vit.
Në vitin 2022, tregu më i madh i emergjisë diellore në Holandë erdhi nga panelet diellore të instaluara në tarracat e ndërtesave, me një prodhim prej 46% ose rreth 1.8 GigaWat të totalit të energjisë së prodhuar në vend nga dielli.
Tv Klan