Fansave daneze i është dhëne drita jeshile për të udhëtuar drejt Amsterdamit, uellsianët ndalohen

Tifozët e Danimarkës do të lejohen që të udhëtojnë drejt Amsterdamit për të ndjekur kombëtaren e tyre në takimin e 1/8-ve kundër Uellsit të Euro 2020, që do të luhet më 26 Qershor.

Autoritetet holandeze kishin marrë fillimisht vendimin që të mos lejonin fansat danezë dhe ata uellsianë që të futeshin në vend, pasi të dyja këto shtetet nuk bëjnë pjesë në listën e vendeve të sigurta.

Por Ministria e Punëve të Jashtme daneze lajmëroi se fansat danezë mund të evitojnë karantinimin, nëse ata hyjnë dhe largohen nga Holanda brenda 12 orëve.

Por tifozët skandinavë duhet që të paraqesin një test negativ Covid, i cili është bërë maksimumi brenda 72 orëve.

Një vendim i tillë i autoriteteve holandeze ka sjell mërzi te tifozët uellsianë. Atyre u ndalohet që të futen në territorin holandez.

Policia holandeze ka paralajmëruar se do të ndalojë çdo tifoz uellsian që do tentojë të futet në vend. Shoqata e tifozëve uellsianë të futbollit u ankua me këtë vendim dhe tha se uellsianët janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë.

Klan News