Holanda do të luajë me Portugalinë finalen e Ligës së Kombeve.

Fitorja 3 – 1 me përmbysje ndaj Anglisë vendosi fatin e finalistit të dytë pas 120 minutash lojë të enjten në Gimaraesh.

Holandezët edhe pse u ndëshkuan nga një penallti e realizuar nga Rashford në minutën e 32’ nuk u dorëzuan. De Ligt shkaktari i 11-metërshit shënoi golin e barazimit. Në pjesët shtesë erdhi përmbysja falë edhe gabimeve të mbrojtjes angleze. Një autogol i Walker dhe goli i Promes kualifikuan Holandën.

“Pas një sezoni të gjatë është e vështirë të luash 120 minuta, mbi të gjitha në një ndeshje si kjo, por ne ishim pak më të freskët. Në pjesën e parë nuk e meritonim golin e pësuar”, tha trajneri i Holandës, Ronald Koeman.

 Ndërsa trajneri i Anglisë Gareth Southgate tha se “Mësuam shumë nga kjo humbje me një ekip të një niveli të lartë, që na ka sjellë shqetësime dhe në të kaluarën. Pësuam gola që mund të shmangeshin dhe ne nuk shënuam.”

Finalja do të luhet të dielën në stadiumin Dragao, ku do të dorëzohet edhe trofeu i parë i Ligës së Kombeve. Fituesi kualifikohet në finalet e Euro 2020.

Tv Klan