Parlamenti mbështet qëndrimin e qeverisë për tryezën e parë

Pas qeverisë, edhe parlamenti holandez është shprehur pro nisjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Lajmi është dhënë nga mediat holandeze, të cilat shkruajnë se Komisioni për Çështjet e Jashtme në Parlamentin e Holandës ka mbështetur qëndrimin e qeverisë për përcaktimit sa më parë të datës për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE, duke vlerësuar se “Shqipëria ka bërë përparim të mjaftueshëm për fillimin e bisedimeve me BE”.

Ministrja holandeze për Tregtinë e Jashtme dhe Bashkëpunimin për Zhvillim, Singrid Kaag, duke folur para deputetëve tha se Shqipëria ka bërë hapa përpara sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Qeveria mirëpret përparimin e bërë së fundmi nga Shqipëria me reformat mbi temat prioritare, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Statistikat tregojnë gjithashtu progres në këtë fushë, por megjithatë numri i dënimeve të zyrtarëve të lartë, mbetet një shqetësim. Qeveria miraton përfundimin e Komisionit se Shqipëria tani ka bërë përparim të mjaftueshëm në këto kushte”.

Gjithashtu ajo nënvizoi se ky përfundim ndahet edhe nga vendet e tjera anëtare që, ashtu si Holanda, ishin ende kritike një vit më parë. 

“Si pjesë e qasjes së rreptë dhe të drejtë të qeverisë për zgjerimin e BE-së, Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë mund të ndodhë sa më shpejt, që të arrihet marrëveshja mbi kornizën negociuese me Shqipërinë”

Deklarata këto që kanë gjetur mbështetjen edhe të përfaqësuesve të disa partive që më parë kanë qenë kundër avancimit të këtij procesi për Shqipërinë. Ata kanë vlerësuar se nga Shqipëria nga sinjale pozitive, ndërsa kanë theksuar se garanci për vijimin e bisedimeve është edhe procedura e re e pranimit, e cila mund ta vonojë procesin nëse nuk përmbushen detyrimet nga vendi aspirant. Pas Komisionit të Jashtëm, pritet që ky qëndrim të konfirmohet edhe nga seanca plenare e parlamentit holandez.

Tv Klan