Provat do të kryhen tek 1 mijë mjekë për t’i mbrojtur nga infektimi

Vaksina kundër tuberkulozit është një tjetër shpresë në betejën globale kundër koronavirusit. Një ekip shkencëtarësh holandezë po e testojnë këtë vaksinë tek një grup prej 1 mijë mjekësh nga 8 spitale të ndryshme të vendit.

Shkencëtarët shpresojnë që vaksina e njohur me emrin BCG të mbrojë personelin mjekësor gjatë punës për kurimin të sëmurëve me koronavirus. Po ashtu synohet që të imunizohen ndaj COVID-19 edhe të moshuarit, që janë edhe kategoria më e rrezikuar. 

Ashtu si tuberkulozi, edhe koronavirusi u shkakton mushkërive dëme të rënda që mund të çojnë deri në humbjen e jetës. Shkencëtarët thonë se parimi i vaksinës është që të nxisë sistemin imunitar që përmes antitrupave, të reagojë për të neutralizuar viruse dhe baktere të ndryshme.

Por në dallim nga koronavirusi, tuberkulozi shkaktohet nga baktere dhe kjo për shkencëtarët ngjall dyshime nëse mënyra e reagimit të sistemit imunitar do të jetë e njëjtë.

Tuberkulozi u përhap masivisht në fillim të shekullit të XX, por falë vaksinës BCG përhapja e kësaj sëmundjeje u frenua. Në vendet perëndimore, vaksina ndaj tuberkulozit nuk është e detyrueshme. Ndërsa në disa vende të botës si Kina, e disa vende afrikane është e detyrueshme marrja e kësaj vaksinë pasi tuberkulozi vijon të jetë një rrezik.

Tv Klan