Nga rezultati varet edhe fati i negociatave me Shqipërinë

Zgjedhësit holandezë do të votojnë për tre ditë radhazi, nga e hëna deri të mërkurën për të zgjedhur 150 deputetët e rinj në dhomën e ulët të parlamentit mes kandidatëve nga 90 parti politike të regjistruara në garë. Partia e Kryeministrit Mark Rutte pritet të dalë e para me 40 deputetë, por i duhet të hyjë në bisedime me parti të tjera për të krijuar koalicionin e ri qeveritar. Në mënyrë paradoksale nga rezultati i këtyre zgjedhjeve varet edhe fati i votës pro ose kundër i qeverisë së re holandeze për konferencën ndërqeveritare të BE-së me Shqipërinë.

Të rreptë por të ndershëm në vlerësimin e shteteve aspirante drejt BE-së, ka qenë motoja e kryeministrit aktual liberal 54 vjeçarit Mark Rutte në këtë detyrë që nga viti 2010 dhe që pretendon një mandat të katërt në pushtet. Në një qëndrim të fundit, qeveria e Rutte dha notë kaluese për Shkupin ndërsa për Tiranën deklaroi se nuk ishin plotësuar kushtet e vendosura  Marsin e vitit të kaluar nga këshilli evropian.

Nën drejtimin e Rutte, Holanda krahas qëndrimit negativ për vendin tonë ka bllokuar marrëveshjen e asociimit BE-Ukrainë, dhe pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen.

Me numrin e lartë të votuesve të pavendosur, asgjë nuk është e sigurt në formimin e koalicionit të ri qeveritar.

Politika holandeze është aq e fragmentuar sa që pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme në 2017, u deshën 225 ditë për të krijuar një qeveri të re. Këto zgjedhje mund të jenë një provë e mbështetjes për mesazhin nacionalist anti-imigrim, populist të Partisë Popullore për Liri, partia e dytë më e madhe e vendit.

Një sondazh i fundit zbuloi se 77% e votuesve mbështesin masat e Rutte për Covid-19, megjithëse edhe këtë të dielë, Haga u pushtua nga protestuesit që kërkonin heqjen e tyre.

Klan News